Shqipëria

Sot nisin punën ministrat e rinj


Ish-ministrat të cilët udhëhoqën dikasteret qeveritare, të hënën e 20 shtatorit kanë dorëzuar mandatin e tyre tek ministrat e rinj, të cilët do të udhëheqin këto dikastere në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Në qeverinë ‘Rama 3’, Arben Ahmetaj, do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit duke zëvendësuar Erion Braçen, i cili lajmëroi largimin nga ky post disa ditë më parë përmes rrjeteve sociale.

“Ka një fund. I nderuar që shërbeva për njerëzit në nevojë, në ditët e tyre më të vështira në 24 vitet e fundit”, ka shkruar Braçe në Facebook.

Etilda Gjonaj, tashmë deputetja e Partisë Socialiste i kaloi stafetën e ministrisë së Drejtësisë, Ulsi Manja, që do të jetë ministri i ri.

“Duke i kaluar trashëgiminë institucionale dhe stafetën në këtë ditë kolegut Ulsi Manja, i uroj suksese dhe jam besimplotë se do të vijojë të konsolidojë më tej rezultatet e reformës në drejtësi si dhe do të përmbushë punën e nisur për ashpërsimin e luftës kundër korrupsionit”, ka shkruar Gjonaj.

Ministria e Financave tashmë do të drejtohet nga Delina Ibrahimaj. Ish-ministrja, Anila Denaj ka shprehur mirënjohje dhe falënderime për të gjithë bashkëpunëtorët.

“Kaluam sfida të mëdha, por me besim, kurajo dhe shumë punë, të gjithë bashkë ia dolëm të rimëkëmbnim ekonominë”.

Eduard Shalsi i ka dorëzuar punën ministres së re të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilalit.

“I kënaqur që po i dorëzoj stafetën Edonës, që falë dhe eksperiencës së saj në biznes privat, do të uroja duke besuar se do ti çojë më tej punët e mira që kemi bërë dhe raportet e besimit që kemi vendosur me sipërmarrësit në Shqipëri”.

12 gra dhe 4 burra. Ky do të jetë kabineti i ri qeveritar Rama 3, i shpallur nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

16 ministri do të ndahen në 12 me portofol dhe katër ministri shteti.

Përtej shpërndarjes së madhe me trefishin e grave ministre krahasuar me burrat, ato më kryesoret mbeten në dorën e këtyre të fundit.

Betimi i “Rama 3”

Qeveria e re “Rama 3”, të shtunën e 18 shtatorit u betua pranë Institucionit të Presidencës – një ditë pasi mori votëbesimin në Kuvendin e Shqipërisë.

Në orën 10:00, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministrat e kabinetit qeverisës, iu drejtuan Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për ceremoninë e betimit.

Kjo e fundit zgjati shumë pak. Më pas kabineti vazhdoi rrugën në këmbë – duke respektuar sinjalistikën – për në Kryeminstri, ku do të mbahet mbledhja e parë e qeverisë së re.

12 gra dhe katër burra. Ky do të jetë kabineti i ri qeveritar “Rama 3”, i shpallur nga Rama, më 2 shtator në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, PS-ja do ta udhëheqë vendin në mandatin e tretë qeverisës radhazi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore