Kosova

“Sllovenia do ta përkrahë rrugëtimin evropian të Kosovës” | Zupançiç: Dialogu Prishtinë-Beograd, rruga e vetme përpara


Urska Klakoçar-Zupançiç

Kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Klakoçar-Zupançiç, në një konferencë për shtyp të hënën në Prishtinë, ka thënë se Sllovenia do të vazhdojë ta ndihmojë rrugëtimin evropian të Kosovës, derisa ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet vete nëse duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) në të ardhmen.

“Sllovenia përkrah perspektivën evropiane të Kosovës… përmbushja e marrëveshjeve në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd është thelbësore në këtë proces – dialogu është rruga e vetme përpara për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar të hënën kryekuvendarja sllovene.

Ajo ka theksuar se njohja reciproke Kosovë-Serbi do t’i ndihmonte shumë procesit të integrimit evropian të të dy vendeve: “Ne kemi disa marrëveshje që nuk janë implementuar… autoritetet në Serbi duhet të jenë të hapur për dialog… Sllovenia gjithmonë është përpjekur për paqe dhe stabilitet”.

“Nëse nuk zgjidhen gjërat nëpërmjet dialogut, atëherë shohim gjëra të këqija sikurse në Ukrainë, sepse nuk i kushtojmë rëndësi situatave që çojnë te lufta. Unë dua të shoh që autoritetet e Serbisë të ndërrojnë qasjen, t’i ndryshojnë këndvështrimet e tyre dhe të jenë më të hapur”, ka shtuar ajo.

Sllovenia prej kohësh synon të mbështesë stabilitetin dhe ekonominë rajonale, por edhe forcimin e dialogut për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, deri në anëtarësimin e plotë të rajonit në BE. Gjithashtu, ajo synon të luajë rol aktiv në procesin e dialogut midis Prishtinës e Beogradit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore