Shqipëria

Skandali tek Onkologjiku, mjeku Gashi: Kam kryer me sukses 90% të operacioneve


Mjeku Edmond Gashi përmes një postimi në Facebook ka reaguar lidhur me hetimet të nisura ndaj tij nga Prokuroria e Tiranës.

Ai është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi akuzohet se së bashku me disa persona të tjerë orientonte pacientët me tumor në spitalin shtetëror të Onkologjikut në QSUT të merrnin shërbimet në klinikën e tij.

Gashi thotë se ka bërë detyrën dhe se trajtimi shëndetësor i një pacienti në klinikë private është zgjedhje dhe e drejtë e tij.

“Mjeku ka për detyrë t’i përgjigjet njësoj, me të njëjtin përkushtim si në shtet ashtu edhe në privat. Ligji dhe statusi i mjekut nuk e ndalon një mjek të punojë në shtet dhe në privat. Ndjej keqardhje për këtë keqkuptim të krijuar dhe përhapur qëllimisht për interesa të kush e di se kujt”.

Ai thotë se si mjek kirurg ka përballuar numrin më të madh të ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin publik dhe 90% e tyre janë operacione të suksesshme.

“I ka të dhënat Onkologjiku dhe QSUT-ja, verifikojini dhe binduni për çdo dyshim. Distancohem ndaj çdo tendence keqpërdorimi të emrit tim nga interesa të mirëfillta okulte”.

Më tej Gashi thotë që t’i lihet hetimit të zbardhë të vërtetën.

Hetimi

Sipas hetimit të kryer nga Prokuroria dyshohet se mjekët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, specialistët dhe administratorin e spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi”, në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Koçiu mbron Ministrinë

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e ka mbrojtur punën e institucionit që ajo drejton, gjatë një interpelance kërkuar për skandalin në Spitalin Onkologjik, ku disa mjekë drejtonin pacientët me kancer për kurim në sektorin privat dhe manipulonin sasinë e ilaçeve të administruara.

Koçiu, lidhur me rastin, tha se të gjithë mjekët, të cilët abuzojnë me detyrën, në çdo formë, nga aspekti administrativ, do të përballen me sanksione dhe me ligjin.

E gjitha kjo, gjatë kohës kur opozita kërkonte me ngulm dorëheqjen e saj gjatë fjalës së ministres.

Ajo shtoi se në raste të sjellëve amorale do të merret masa e ndalimit të ushtrimit të detyrës.

“Pa diskutim abuzimi i rëndë m detyrën i një grupi farmacistësh, dhe staf mjekësor që kanë luajtur me njerëzit dhe shëndetin e tyre, kjo vetëm një përgjigje; ndëshkim ligjor, administrativ dhe moral”, theksoi Koçiu.

Më pas, shtoi: Për çdo njeri nga ata që kanë nisur hetim, do të mbajnë mbi shpinë moralin e turpin. Për të sanksionuar me ligj ata mjekë, s’mund t’i quaj më as profesionist, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall të shumicës, do të përballen me masa që do t’i bëjmë të ditura. Do t’u hiqet e drejta e profesionit në rast se do të bëjnë sjellje amorale nëse cenojnë profesionin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore