Shqipëria

Skandali tek Onkologjiku, Gjykata: Mjeku Edmond Gashi iku me vrap nga dera e gjyqtarëve


Gjykata e Tiranës ka bërë me dije se mjeku i Onkologjikut, Edmond Gashi, është larguar nga ambientet e Gjykatës – ku ishte pas rastit të skemës abuzive, ku pacientët e sëmurë me kancer dërgoheshin forcërisht për trajtim te privati – me vrap dhe i pashoqëruar nga asnjë punonjës i Policisë së Shtetit.

Kjo ndryshe nga çfarë përcakton ligji.

“Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me radhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qenë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qenë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit”.

Më herët ai refuzoi të fliste gjatë për mediat, por tha se ka bërë vetëm punën e tij.

“Unë bëj vetëm punën zotëri”, tha Gashi për gazetarët.

Para tij mjekja Alketa Pere, e cila është një prej personave të hetuar në skandalin, është “indinjuar” para kamerave në shfaqjen e parë publike, pasi ka thënë se “nuk punon në privat dhe nuk ka dërguar pacientë në institucione private”.

Me një arrogancë të theksuar përpara gazetarëve, mjekja ka thënë se duhet të ndryshohet e gjithë struktura dhe pajisjet e spitalit. Ajo ka shtuar se ka bërë edhe dokumentacionin për të qenë ajo drejtuesja e spitalit, por dosja e saj është hedhur në plehra.

“Kurrë në jetën time nuk e kam bërë këtë gjë që pacienti të shkojë në privat. Kurrë se kam bërë në jetën time. Jam Doktoreshë Alketa Pere. Kurrë ne jetën time s’kam bërë që të shkojnë në spital privat”, theksoi ai.

Më tej, mjekja ka thënë se pacientët me kancer duhet të trajtohen në spitalin Onkologjik.

“Të hetohen të gjithë spitalet private për naivitetin që kryejnë. E falënderoj prokurorin për punën që bën. Unë do të prononcohem mbrapa. Sot kam ardhur të mbroj veten time, jam komplet e pafajshme”, shtoi ai.

Përpos kësaj, mjekja duket se është mllefosur edhe me gazetarët, për raportimet e lajmeve.

“Më keni mërzitur ju gazetarët, më keni nxjerrë fotot. Më interesojnë dhe ato fotot. Duhet të ruhet etika, për atë punë keni mbaruar. E ruaj deri në fund etikën, sidomos me pacient neoplazik. Kam dhe pacient me kancer në familje. E di se çdo të thotë. Duhet të ndryshojë struktura e spitalit, pajisjet….jam shumë e lumtur me prokurorin, që e ka quajtur ‘rrugëtimi’. Në spitalin tonë nuk ka shkelje. Duhet të sqarohen mirë gjërat, se kush i ka drejtuar pacientët në privat”.

Për t’u theksuar ndërkaq është fakti se të gjithë mjekët e përfshirë në këtë çështje, janë paraqitur pranë gjykatës dhe presin vendimin për ta.

Çfarë thotë Prokuroria për rastin?

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore