Shqipëria

Skandali te Onkologjiku/ Rama: Është krim kundër njerëzimit, Koçiu prezanton masat


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po zhvillon një takim me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pas rastit në spitalin Onkologjik, ku disa mjekë me qëllim përfitimi, kishin ngritur një skemë abuzive transferimi të të sëmurëve me kancer drejt spitaleve private.

“Në një moment të errët që krijoi për komunitetin e bluzave të bardha, dalja në dritë e një veprimtarie kriminale, mu kujtuan fjalët e Besim Elezit: As në ëndërr nuk e kishim parë një spital me këto kushte dhe ky spital s’ka asgjë më pak se ato të Evropës. Ai i dha jetë një shëndetësie heroike në kushte më minimale, në një spital që kishte më shumë sesa pastërtinë dhe mjetet e spitalit mesjetës në Francë”.

Rama theksoi se në “këtë territor ku jemi sot mungonte gjithçka, por nuk mungonte figura dhe përkushtimi mjekut. Ndërsa sot nuk munguan thuajse asgjë, por fatkeqësisht shumë herë figura e mjekut nuk është në lartësinë e misionit që nis me betimin e hipokratit”.

“Koha e heronjve të Besim Elezit e dimë që i ka lënë vendin një kohe tjetër, atë të veseve. Të mos jesh në lartësinë e detyrës në profesionin tuaj, është një hall shumë i madh për njeriun, kur me mjekun lidhet fati i shëndetit të tij, por të kesh marrë diplomën, licensën dhe ta përdorësh uniformën si maskat e grabitqarëve të bankave për të nxjerrë para me gjakun dhe ilacet e të sëmurëve, është krim kundër të gjithë njerëzimit”, theksoi ai.

Rama tha se do ngrihen grupe pune me menaxherë të huaj për të asistuar drejtoreshën e QSUT dhe shefat e tjerë dhe do garantohet autonomia spitalore. Rama tha se kështu mjekët do të paguhen sipas performancës.

“Grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afërt drejtuesit e spitaleve të kësaj qendre që të garantojmë hapjen e kapitullit të shumë pritur të autonomisë spitalore, që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë fleksibilitetin për ti shpërblyer profesionistët sipas meritës”.

Kreu i qeverisë shtoi se “veprimtaria kriminale e atyre nuk e hedh dot poshtë përpjekjen tonë për ta shndërruar sistemin shëndetësor nga ngrehina e gjetur në një sistem shërbimesh funksionale”.

“Përkundrazi kjo që ndodh në këto momente na bën edhe më të vetëdijshëm për gjërat që duhen bërë akoma”.

Në takimin me shefat e shërbimeve në QSUT, Rama tha se sot kanë kushte më të mira pune e rritja pagash, të cilat janë realizuar falë taksave që paguajnë ata pacientë që marrin shërbimin. Kreu i qeverisë tha se pacientët duhen trajtuar si familjarë kur mbërrijnë në QSUT dhe zënë shtratin nga halli.

“Nuk janë bërë me paratë tuaja, as të miat, por me paratë e atyre që vijnë këtu për ndihmë tuaj dhe me paratë e atyre që i sjellin familjarë e tyre në dorën tuaj. Ata që vijnë këtu për të vizituar e shtruar e kanë bërë të tyren për ju. Pa ata do ishit akoma te ai pazari që përmenda më lart dhe që ju e keni jetuar me vite të tëra të poshtëruar në çdo lloj merite profesionale dhe e keni mbajtur këtë spital me frymën e trashëguar nga Besim Elezi. Sot është ndryshe. Pacientët dhe njerëzit e tyre bashkë me shqiptarët që paguajnë taksat kanë bërë që pagat tuaja të jenë shumë më mirë se dje dhe nesër të jenë më mirë se sot”.

Rama theksoi se “kush e harron këtë dhe ka bluzën e bardhë hyn në gjynah të madh edhe kur s’ka durimin të sillet si shërbëtor i atyre që zënë krevatin e kësaj qendre nga halli”.

“Kur ata hyjnë këtu janë familjarët e tyre dhe ju jeni shërbëtore kush shfaqet si ata torturuesit nuk meriton vetëm ndëshkimin e drejtësisë, por meriton ndëshkimin pa mëshirë të zotit lart. Mjaftojnë 5 maskarenj të fshehur në radhët tuaja që gjithçka të mbulohet nga hija e dyshimit dhe që përkushtimi dhe profesionalizmi i trupës tuaj të goditet nga një dallgë revolte, që është legjitime, e një populli të tërë. Shpresoj që asnjë nga ju të mos e harrojë përjetimin e tmerrshëm të këtyre ditëve të pamerituar dhe cenimin e dinjitetit të secilit dhe bluzës së bardhë”.

Koçiu prezanton masat

Ndërsa, ministrja Albana Koçiu njoftoi një sërë masash që do të ndërmerren.

Ajo tha se mjekët që duan të punojnë në privat do duhet të marrin leje.

“Së shpejti QSUT dhe 12 spitale të tjera do të marrin autonominë e plotë pas plotësimit të kushteve të mbetura. Megjithatë, masa për ndarjen e mjekut nga pacienti në spitalin publik dhe në spitalin privat do të merren menjëherë. Mjekët që kanë hapur dhe ose punojnë në klinika private nuk do të mund të mbajnë asnjë funksion drejtues të asnjë niveli në spitalet publike apo universitetin e Mjekësisë”.

Sipas saj, “një drejtues në këto struktura duhet t’i dedikohet plotësisht administrimit dhe aktivitetit në strukturën ku ka përgjegjësinë e drejtimit. Historia e transferimit të pacientëve në klinikat private nga drejtuesit e shërbimit publik do të mbarojë menjëherë sapo të miratohet ky ligj”.

Masat disiplinore

-Dërgimi i pacientëve në klinikën private nga mjeku përgjegjës për ta në shërbimin publik, do të dënohet me gjoba domethënëse për mjekun dhe për klinikën private që vetë mjeku ka hapur apo punon. Ndërsa përsëritja e kësaj shkeljeje do të shkojë deri në ndalimin e aktivitetit për mjekun apo klinikën private për afate të caktuara.

– Shkelja e rregullit që drejtuesit publike nuk mund të kenë klinika private apo të punojnë në to përveç shkarkimit nga funksioni dhe gjobës domethënëse për mjekun, si dhe gjobës gjithashtu për klinikën private, do të mund të çoje deri në ndalimin e aktivitetit për të dyja palët për afate të caktuara.

– Mosdeklarimi transparent në kërkimin e autorizimit/lejes për punësim në privat do të çojë në heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit për afate të caktuara.

– Shkelja e etikës (betimit të hipokratit) dhe të protokolleve mjekësore, kur nuk ka shkaktuar pasoja do të çojë në ndalimin e kryerjes së disa shërbimeve mjekësore dhe deri në heqjen për afate të caktuara të licencës së ushtrimit të profesionit.

– Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të lehta do të çojë, përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në heqje të licencës së ushtrimit të profesionit për një afat shumë domethënës.

– Shkelja e protokollit mjekësor, kur ka shkaktuar pasoja të rënda do të çojë përveç pasojave që burojnë nga ndëshkimi i drejtësisë edhe në ndalimin e aktivitetit të mjekut për gjithë jetën.

“Konkretisht, sipas kësaj pike të fundit, individëve që njollosin institucionin, duke shkelur çdo normë e parim jo thjesht profesional, po edhe human, përveç ndëshkimit të merituar nga drejtësia do t’u ndalohet ta veshin bluzën e bardhë për gjithë jetën. Propozime të ngjashme të përshtatura do të bëhen edhe për profesionet e tjera”, tha ministrja.

Hetim

Sipas hetimit të kryer nga Prokuroria dyshohet se mjekët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, specialistët dhe administratorin e spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi”, në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore