Shqipëria

Skandali te Onkologjiku, protestë para Ministrisë së Shëndetësisë


Këtë të mërkurë të 26 qershorit po mbahet protestë para Ministrisë së Shëndetësisë  për një rast të spitalit Onkologjik, ku disa mjekë me qëllim përfitimi, kishin ngritur një skemë abuzive transferimi të të sëmurëve me kancer drejt spitaleve private.

Qytetarët bënë thirrje që hetimet për këtë rast të vazhdojnë dhe mjekët të marrin dënimin e merituar.

Më herët ministrja Albana Koçiu tha se Ministria e Shëndetësisë, ka nisur zyrtarisht një hetim administrativ.

Sipas Koçiut, e cila foli pas një mbledhje të Këshillit të Ministrave, “korrupsioni është vija e kuqe ndarëse mes interesit të qytetarëve dhe kujtdo që kryen këto abuzime me pozitën”.

Hetimi administrativ ndërkohë, do të jetë veçmas nga një hetim që ka nisur Prokuroria e Tiranës për rastin.

Më herët, deputeti  demokrat, Arbi Agalliu, ka kërkuar një interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Punës Sociale, Albana Koçiu, sa i takon rastit të spitalit Onkologjik, ku disa mjekë janë nën hetim, të cilët me qëllim përfitimi, kishin ngritur një skemë abuzive transferimi të të sëmurëve me kancer drejt spitaleve private.

Në një postim në Facebook, Agalliu thotë se është domosdoshmëri dhe jetike të bëhet menjëherë transparencë dhe të kuptohen arsyet se pse nuk funksionon sistemi i mbrojtjes së pacientëve.

“Është domosdoshmëri dhe jetike të bëhet menjëherë transparencë përpara qytetarëve shqiptar. Duhet të qartësohen arsyet pse nuk ka funksionuar sistemi i mbrojtjes së pacientëve dhe pse kjo skemë korruptive ka kaq kohë që funksionon. Në fakt kjo është shëndetësia falas dhe nuk mund të jetë ndryshe kur vendi është i mbuluar nga korrupsioni”, shkruan Agalliu, duke bashkëngjitur edhe kërkesën e bërë në Kuvend.

Nga ana tjetër, një ditë më parë, Koçiu është distancuar nga ngjarja, duke e quajtur të “paprecedente”.

“Ngjarje e paprecedente. Jam e neveritur. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, procedurave administrative dhe të jetë e qartë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha. Nuk përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm dhe nuk kanë vend në sistemin shëndetësor publik”, tha Koçiu.

Çfarë thotë Prokuroria për rastin?

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë kërkoi masa sigurie për shtatë mjekë e specialistë të Qendrës Spitalore Universitare nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim Detyre’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi”, në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Për këto arsye, u kërkua në Gjykaten e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe u miratua caktimi i masave të sigurisë për shtetasit:

E.G. (Mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi”;

E.L. (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K. Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur” neni 234 i K.Pr.Penale;

A.Y. (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

B.Q. (ish Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqsore” neni 234 i K.Pr.Penale;

D.K. (Ish specialist pranë QSUNT) për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale;

H.G. për vepren penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180/1 I K.penal. Masa e sigurisë “detyrim për tu paraqitur ne policine gjyqësore” neni 234 i K.Pr.Penale; dhe

F.M. për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” të parashikuar nga nenet 178 e 179 i K.penal. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” neni 237 i K.Pr.Penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore