Lajme

Situata në Kosovë – Munsch: NATO-ja po mban në gjendje të lartë gatishmërie forca të pajisura me armatim të rëndë


KFOR

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admirali amerikan Stuart B. Munsch, ka njoftuar të martën se NATO-ja ka pajisur misionin paqeruajtës në Kosovë (KFOR) me armë të “fuqisë luftarake” pas përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, transmeton “ABC News”, rrjeti amerikan i lajmeve.

Derisa ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar ka dislokuar rreth 200 ushtarë për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash që tashmë po stërvitet në Kosovë dhe Rumania ka njoftuar gjithashtu për përforcime të mëtejshme, admirali amerikan ka shtuar se NATO-ja po sjell “armatim më të rëndë” në mënyrë që të zgjerojë “fuqinë luftarake” të KFOR-it.

Stuart B. Munsch dhe Albin Kurti

“NATO-ja është duke mbajtur forca të tjera, të pajisura me armatim edhe më të rëndë – të afta për fuqi të mëtejshme luftarake – në një gjendje të lartë gatishmërie që mund të dislokohen nëse vendet e NATO-s vendosin ta bëjnë këtë”, ka nënvizuar admirali Munsch, duke mos dhënë detaje të tjera.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim admiralin Muncsch, ku edhe ka konfirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Qeverisë së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të sigurisë së të gjithë qytetarëve të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore