Lajme

Simmons do të raportojë “për shkeljet e EULEX-it” në Kuvend, por nuk dihet data


Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka vendosur që ta ftojë në seancë dëgjimore ish-kryetarin e Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons, për pretendimet e tij se ky mision ka kryer shkelje përgjatë punës në Kosovë.

Për Albanian Post këtë e ka konfirmuar Këshilltari për Media i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Feim Tahirsylaj, i cili tha se të martën e 22 qershorit është marrë ky vendim, mirëpo nuk është caktuar ende ndonjë datë.

“Dje anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, kanë vendosur që të mbahet një seancë dëgjimore në të cilën do të flasë ish-kryetari i Asamblesë të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons”, ka thënë Tahirsylaj.

Sipas tij, kjo seancë do të caktohet sipas procedurave të rregullores së Kuvendit. Kjo arsyeja që nuk dihet ende data në të cilën do të bëhet ky raportim.

Ndërkaq, më datë 3 qershor, Simmons i ka nisur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një dokument prej 25 faqesh të dëshmisë së tij për skandalet e pretenduara nga ai, të kryera nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Një kopje të këtij dokumenti e posedon edhe Albanian Post, në të cilin Simmons tregon sesi prokurorët e EULEX-it ua kishin dërguar dosjet e “krimeve të luftës” autoriteteve të Serbisë, por edhe kishin udhëtuar disa herë drejt shtetit serb.

“Para caktimit tim si Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it, unë kam qenë në ndijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u. Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, shkruan Simmons.

Kurse, misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë i ka mohuar deklaratat e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, sipas së cilit ky mision u ka dorëzuar dosje të krimeve të luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë.

Në reagimin e EULEX-it thuhet se “deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it, në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi, sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë”.

Nga ky mision bëjnë të ditur se, në përpjekjet e tyre për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës, që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës, prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në autoritetet prokuroriale të Serbisë.

Sipas EULEX-it, “në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione. Ata u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht”.

Gjykatësi, Malcolm Simmons, shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar nga viti 2004 në 2017, duke dëgjuar çështje të krimit të luftës dhe krimit të rëndë dhe të organizuar.

Ai kryesoi në disa prej rasteve më të ndërlikuara të krimit të luftës dhe krimit të organizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë periudhave të tyre të trazuara të pasluftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore