Kosova

Siljanovska Presidente e re e RMV-së, VMRO merr 58 deputetë, “Fronti Evropian” 19, LSDM 18, “VLEN 13


Ilustrim

Gordana Siljanovska Davkova nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE, do të jetë presidente e re e Maqedonisë së Veriut, pasi që në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën ka fituar me një rezultat të thellë ndaj presidentit aktual Stevo Pendarovksi, i cili u mbështet nga LSDM-ja.

VMRO-DPMNE është fituese edhe në zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën po ashtu të mërkurën së bashku me ato presidenciale, e cila ka grumbulluar plotë 58 deputetë nga 120 sa i ka gjithsejtë parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa, në taborin shqiptar fitues është “Fronti Evropian”, me lider Ali Ahmetin, me 19 mandate, duke u renditur forca e dytë me numër mandatesh në nivel republikan, derisa në raport me koalicionin e partive opozitare shqiptare prin me një diferencë prej 30 mijë votash.

Kush sa vota mori?

Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova ka grumbulluar plotë 560 mijë e 170 vota, apo 65,14 për qind, ndërsa kundërkandidati i saj Pendarovski, vetëm 251 mijë e 541, apo 29,25 për qind.

Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski

Me zgjedhjen e saj si Presidente e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska Davkova bëhet gruaja e parë presidente në  këtë shtet.

Në një deklaratë për media në orët e vona të mërkurën, nga selia qendrore e VMRO-DPMNE-së, ajo theksoi se do të jetë presidente e të gjithëve.

“Unë pohoj se do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve. Kjo do të thotë e të gjitha grupeve etnike, e të gjithë anëtarëve të partive, e atyre të cilët nuk janë në parti, sepse nuk mundet asnjë president të synojë unitetin, nëse mban linja partiake”, potencoi Siljanovska Davkova.

Nga ana tjetër, Pendarovski, pranoi humbjen e zgjedhjeve, derisa i uroi kundërkandidates suksese në pozitën e re si e para e shtetit maqedonas.

“Koncepti im për Maqedoni multietnike plotësisht e integruar në strukturat euro-atlantike për fat të keq nuk mori mbështetje dhe jam i bindur thellë se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e suksesshme”, tha Pendarovski.

Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, me 99,27 për qind të votave të numëruara, VMRO-DPMNE ka marrë 58 mandate deputetësh në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, nga 120 sa i ka gjithsejtë.

I dyti me mandate deputetësh është “Fronti Evropian”, me 19 sosh, i pasuar nga partia maqedonase që deri më tani kishte pushtetin, LSDM-ja, e cila do të ketë 18 ulëse në parlament.

Pas saj, i katërti në nivel republikan radhitet koalicioni “VLEN”, me 13 mandate deputeësh.

Ulëse në kuvend kanë siguruar edhe dy parti tjera maqedonase.

E majta ekstreme “Levica” do të ketë 6 deputetë, ngjashëm sa Lëvizja “ZNAM”.

Pas numërimit të pjesë më të madhe të votave, në një konferencë për media, lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski, potencoi se për një periudhë të shkurtër kohore do të fillojë negociatat me partitë opozitare për koalicion, derisa theksoi se LSDM-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim do të qëndrojnë në opozitë.

Hristjan Mickoksi

Ndërsa, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, pas humbjes më të madhe në histori të kësaj partie, tha se rezultati është zhgënjyes, dhe se partisë që ai udhëheqë i është dhënë një goditje e rëndë.

Dimitar Kovaçevski

Nga ana tjetër, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nga Reçica e Vogël, aty ku është selia kryesore e kësaj partie, tha se koalicioni që ai udhëheqë është forca e dytë në vend.

“Legjitimitetin na e kanë dhënë qytetarët, shumica e shqiptarëve dhe komuniteteve të vogla si turqit, boshnjakët dhe romët të cilët i falënderoj dhe është hapi i parë drejt stazave të gjata të Frontit evropian deri në anëtarësim të plotë në BE”, tha ai.

Ai potencoi se shteti “më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë dhe mbledhjeve ndërqeveritare për fillim zyrtar të anëtarësimit në BE”.

“Mbetemi fronti i fortë i misionarëve deri në realizimin e qëllimeve finale për anëtarësim në BE”, pohoi ai, derisa ia uroi fitoren Mickoski-t.

Ali Ahmeti

Ndonëse humbën zgjedhjet në taborin shqiptar me një diferencë prej 30 mijë votash, koalicioni “VLEN”, thanë se janë fitues të votës shqiptare, derisa lideri i këtij grupimi politik, Bilall Kasami, theksoi se nga nesër do të fillojnë negociatat për formimin e qeverisë së re me VMRO-DPMNE-në.

“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj ju them 100 mijë herë ‘faleminderit, faleminderit, faleminderit!’ të gjithë atyre që erdhën dhe bënë ndryshimin në atdhe!”. Prandaj në emër të 100 mijë votave koalicionit VLEN ju themi faleminderit”, tha Kasami.

Bilall Kasami

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore