Bota

Si pushtuan të Gjelbrit zemrën industriale të Gjermanise


Mund të thuhet pa frikë se Winfried Kretschmann-i është politikani i gjelbër më i fuqishëm në botë.

E vërtetë që të Gjelbrit mbajnë vetëm disa ministri të dorës së dytë në Australi dhe Zelandë të Re. Por z. Kretschmann është pa diskutim sundimtari i landit të Baden-Württemberg, një qendër e rëndësishme industriale në jug-perëndim të Gjermanisë me 11 milionë njerëz. Landi është më i madh se shumë shtete të BE-së.

Dhjetë vite më parë, votuesit të frustruar nga aksidenti nuklear i Fukushimës dhe të lodhur nga udhëheqja konservatore e Kristian Demokratëve (CDU), dyfishuan votat për të Gjelbrit. Kështu, ata erdhën në pushtet në krye të një koalicioni të majtë. Rezultati la të çuditur edhe vetë z. Kretschmann. 

Megjithatë, ai mjeshtërisht ia doli të rizgjidhej edhe në 2016, dhe me shumë mundësi mund ta bëjë sërish në zgjedhjet rajonale të 14 marsit. Mënyra se si ia ka dalë ai, mbart mësime për pjesën tjetër të vendit, e ndoshta dhe të botës.

Pas një flirti të shkurtër me komunizmin revolucionar në universitet, më 1980 z. Kretschmann ishte pjesë e zëshme e krahut të moderuar brënda Partisë së Gjelbër Gjermane të sapoformuar.

Për vite me radhë ai përcolli mesazhe te një audiencë e vogël por gjithnjë në rritje, se si qëndrueshmëria dhe tema të tjera mjedisore duhet të kombinoheshin me inovacionin dhe të krijuarit e pasurisë. Kjo i dha statusin e “të parakohshmit”, thotë Danyal Bayaz, parlamentare nga radhët e të Gjelbërve në Baden-Württemberg.

Centrizmi me qasje pro-biznesit është një nga dy shtyllat në të cilat bazohet thirrja e z. Kretschmann sot. Duke u vetëquajtur “konservator”, ai thekson se mbrojtja klimatike duhet të shkojë paralelisht me rritjen ekonomile. Ai nuk ngurron të hedhë poshtë idetë e këqija që vijnë nga radhët e të tijve. 

“Njerëzit e kanë qejf,” thotë Boris Plamer, kryebashkiaku i Gjelbër i Tübingen, një qytezë në Baden-Württemberg. “Ata nuk i duan ushtarët partiakë, njerëzit pëlqejnë politikanët që tregojnë interes për nevojat e tyre.” Kjo ka ndihmuar të Gjelbrit të zgjerohen përtej zonës së tyre të rehatisë, në qytete si Stuttgart-i dhe Freibrg-u, deri te ish-votuesit e CDU-së dhe kategorisë së eksportuesve, shpesh edhe në zona të thella rurale.

Shtylla e dytë është një imazh i punuar me kujdes që ndërthur figurën familjare të z. Kretschmann – një fetar i devotshëm dhe pasionant i natyrës i cili flet me theksin vendas – me atë të filozofit-mbreti sipas Platonit, i cili spërkat intevistat me citate nga Hannah Arends dhe tregon se i kalon pushimet verore në ishujt greke duke shfletuar “Iliadën”. 

Politika e tij ku “të gjitha mendimet degjohen”, përbën një antidotë ndaj radikalizmit përçarës. Kolegët e përshkruajnë si një udhëheqës i matur, i hapur për ide të reja nga reformimi i shkollave te Inteligjenca Artificiale.

E gjitha kjo i jep aureolën e burrit të shtetit për të cilën, politkanët e CDU-së, tashmë partneri i vogël në koalicionin e landit, e pranojnë se është shumë e vështirë ta konkurrosh.

Ky është një kombinim i fuqishëm. Z. Kretschmann me raste ka udhëhequr sondazhet e popullaritet në nivel kombëtar, pavarësisht se nuk ambicie përtej landit të lindjes (“Sa herë ndodhem në Berlin, më kujtohet gjithmonë se sa i bukur është landi i Baden-Württemberg-ut,” ka thënë njëherë ai). 

Dy të tretat e votuesve të CDU-së në këtë land, thonë se do ta votonin me t’iu dhënë mundësia. Popullariteti i tij ka frymëzuar një kult individi të butë. Në një fushatë ku pandemia e ka bërë të pamundur mbajtjen e proceseve zgjedhore në mënyrë tradicionale, votuesve nuk u ngelet veçse t’i ngulin syte pamjes së butë të udhëheqësit të tyre 72-vjeçar në postera, me mbishkrime të llojit: “Ai mendon për panoramën e madhe”.

Gjithsesi, çfarë arritjesh mund të tregojnë të Gjelbrit pas një dekade në pushtet? Qeveria e z. Kretschmann me CDU-në mund të krekoset për një ligj të fortë biodiversiteti të kaluar, dhe për zgjerimin e një burimi të rinovueshëm, teksa një central bërthamor po mbyllet. Ama “duke patur parasysh kufizimet e partneritetit në koalicion, është e vështirë të flasim për shumë arritje konkrete”, thotë z. Palmer.

Shembulli është industria e makinave, që siguron një në pesë punë në Gjermani. Jo larg prej Vilës Reitzenstein në Stuttgart, prej nga ku z. Kretschmann drejton punët e landit, ndodhen muzetë e dedikuara makinave të Mercedes-it dhe Porsche-it, si dhe sheshi Daimlerplatz. Z . Kretschmann ka thënë më herët që një ditë shpresonte të shihte më pak makina në rrugët e Gjermanisë. Tani ai është i detyruar ta mbajë pranë industrinë e makinave.

Shumë pranë në fakt, për disa. Angazhimi i z. Kretschmann për të dobësuar prodhuesit e makinave në landin e tij është i vërtetë. 

Nga frika se Baden-Württemberg mund të përballet me një fat si ai i Detroit-it, ai ia ka përsëritur shpesh prodhuesve të makinave të përballen me sfidat e reja, për shembull duke prodhuar makina elektrike, përmes një “dialogu strategjik” shtatë-vjeçar të nisur në 2017. 

Megjithatë, rezultatet janë të papërfillshme. Në vitin 2020, z. Kretschmann zhgenjeu shumëkend duke u bashkuar me udhëheqës nga landet e tjera për të lobuar për marrjen e subvencioneve për makinat me karburante të djegshme. Disa aktivistë të rinj të lodhur nga maturia e z. Kretschmann kanë formuar “Listën e Klimës” për të marrë pjesë në zgjedhje. “Të Gjelbrit i kanë harruar rrënjët e tyre,” shfryn Daniel Wagner, një prej kandidatëve.

Përgjatë viteve, z. Kretschmann është ndeshur me partinë e tij në shumë drejtime, nga të hequrit dorë nga motorrët me djegie tek deportimet e azilkërkuesve. Për të Gjelbrit që anojnë nga e majta në lande të tjera, suksesi i partisë në Baden-Württemberg duket si një bekim i përzier: përse të kërkohet pushteti vetëm për të majmur konsveratorët? Z. Kretschmann përgjigjet se pushteti është i padobishëm nëse lë gjysmën e shoqërisë pas. Dhe si i vetmi i Gjelbër në krye të një qeverie, ai mban mbi shpatulla një peshë të madhe në sistemin federal të Gjermanisë. Prirja e tij për të paraqitur veten si zëri i partisë në debatet kombëtare ka irrituar shumë kolegë në vende të tjera. Por gjithashtu ka nxitur edhe një ndryshim. Pikërisht atë të vitit 2019, kur të Gjelbrit në dhomën e lartë parlamentare të Gjermanisë, mprehën një paketë mjerane e aspak ambicioze për ndryshimet klimatike.

Mos i trazoni ujërat

Pas të gjitha shtrëngimeve të duarve, centrizmi i z. Kretschmann ia ka dalë të ruajë pozitat në parti në nivel kombëtar, tashmë në duart e të grupit të moderuar dhe duke u bërë gati për të hyrë në qeveri në zgjedhjet federale të shtatorit. Zakoni i të qeverisurit është rrënjosur tek të gjelbrit, që tani janë pjesë e koaliconeve qeverisëse në 11 nga 16 landet e Gjermanisë. Nëse ata do të bien dakord të jenë partnerët e vegjël në koalicion me CDU-në në nivel kombëtar, siç duket edhe nga sondazhet, ata do të duhet të pranojnë kompromise të dhimbshme. Ama nëse pushteti nuk është më fjala e pisët që ishte dikur në rrethet e të Gjelbërve, partia i detyrohet për këtë vetëm figurës së Kretschmann-it.

Përshtatur nga The Economist për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore