Kosova

Si përcaktohet siguria e figurave shtetërore në Kosovë?


Ilustrim: Truprojat e shuma të Kim Jong Un-it, liderit të Koresë Veriore, duke vrapuar pas veturës ku gjendet lideri.

Më 27 tetor, kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori kërcënime dhe pas këtij rasti në shtëpinë e tij në lagjen “Tasligje” në Prishtinë janë shtuar Njësitë e Reagimit të Shpejtë të Policisë.

Rashit Çalaj, ish drejtor i Policisë së Kosovës, në një prononcim për Albanian Post sqaron se edhe në të kaluarën policia e Kosovës e ka pasur obligim gjithmonë sigurimin e pozitave kryesore të shtetit.

“Policia e Kosovës e ka të rregulluar me procedura të brendshme sigurimin e vendbanimit të këtyre personaliteteve, e po ashtu sigurimin e tyre gjatë lëvizjes si dhe gjatë orarit të punës që kanë ata gjatë ditës”, deklaron Çalaj.

Mirëpo, bën të ditur se lloji i kërcënimit që paraqitet hetohet nga njësi të caktuara dhe varësisht nga rasti vendoset se a duhet të shtohen forcat e sigurisë apo jo.

“Mund të them që në raste të kërcënimeve që mund të paraqiten e që janë paraqitur edhe më herët, ekzistojnë njësi të caktuara në polici të Kosovës që bëjnë vlerësimin e atyre kërcënimeve dhe varësisht nga vlerësimi i këtyre kërcënimeve merren edhe masat adekuate qoftë me marshutë, qoftë tek shtëpitë e personaliteteve”.

Sigurimi tek shtëpia e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Nëse rreziku i kërcënimit është i ulët, atëherë tek forcat që e sigurojnë shtëpinë që zakonisht janë që kujdesen për marshutën e personaliteteve, ngritët vetëm vigjilenca ndërsa në rast se ka një vlerësim të rrezikut që është i nivelit të mesëm apo të lartë atëherë parashihen edhe masat tjera siç janë shtimi i zyrtarëve policor dhe i zyrtareve policore të njësive të ndryshme duke përfshirë edhe operatorët e njësive speciale”.

Ndërsa, njohësi i sigurisë Avni Islami thotë se sigurimi i figurave të larta publike bëhet në bazë ta analizave dhe kërkesave.

“Pavarësisht asaj që dëshiron apo jo individi në fjalë kjo është e rregulluar me ligj dhe shkallën e rrezikshmërisë dhe të sigurisë të një figure të lartë publike e vlerëson organet e sigurisë. Prandaj, në bazë të analizave bëhet edhe siguria e tij pra caktohet stafi se sa është i nevojshëm për mbrojtjen e personalitetit”, thotë Islami.

Islami, thekson edhe rastin e fundit të kërcënimit ndaj kryeministrit Kurti e që nga këndvështrimi i tij ai nuk sheh një lloj rreziku përmes kërcënimit nga rrjetet sociale.

“Deri më sot nuk është hera e parë që kryeministri kërcënohet e njëjta sikurse ndodhi ditë më parë, kërcënimi që vije në formë të hapur publike dhe caktimi i më shumë sigurie ndaj kryeministrit të vendit. Unë nuk shoh rrezik drejt për së drejti nga ai individë i cili e ka bërë postimin në rrjetet sociale”.

Sipas Islamit, “siguria e kryeministrit është shtuar në mënyrë që ai të mos ndihet i rrezikuar”.

Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson që për këtë detyrë janë të ngarkuar policia e Kosovës si dhe Njësia e Mbrojtjes së Afërt.

“Në momentin që NJMA (Njësia e Mbrojtjes së Afërt), pranon informacione nga njësitë e brendshme të policisë së Kosovës si dhe institucionet e tjera të sigurisë për një kërcenim ndaj personaliteteve që kanë të obliguar sigurinë e afërt ata marrin të gjitha veprimet taktiko/operacionale”.

Shala, potencon që puna e NJMA është tejet komplekse kur kemi të bëjmë me sigurinë e krerëve të shtetit.

“Puna e NJMA-se është tejet komplekse për arsyeje që në shumicën e rasteve janë personat që reprezentojnë shtetin e Kosovës, kur do që ka delegacion ndërkombëtarë për vizita në Kosovë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e siguruar nga Njësia e Mbrojtjes së Afërt (NJMA)

Kërcënimet ndaj krerëve të shtetit ndër vite

Pas kërcënimit kryeministri Kurti, ka thënë se nuk ndihet i rrezikuar pas kërcënimeve që iu bënë të mërkurën e 27 tetorit.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se “janë mekanizmat e shtetit ato që i bëjnë vlerësimet që bëhen në rrjete sociale”.

“Së pari unë nuk ndihem i rrezikuar, por janë organet e sigurisë që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat e caktuara”, është shprehur Kurti.

Madje ai ka theksuar se ky kërcënim nuk e ka penguar në punën e përditshme si kryeministër.

Ilustrim.

Ndryshe, më 18 tetor të vitit 2020 edhe ish kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ishte kërcënuar përmes rrjeteve sociale.

Ai ishte kërcënuar me djegie, pasi gjatë ditës së 18 tetorit paralajmëroi mbyllje totale të vendit, sepse rastet me Covid-19 ishin në rritje.

Edhe më 27 mars të 2020, ish presidenti i Kosovës Hashim Thaci ishte kërcënuar me jetë nga një qytetar i pjesës veriore të Kosovës K.B, i cili përmes një postimi në Facebook kishte postuar një fotografi me armë, dhe kishte shkruar për presidentin Thaçi se “gjumin gjumë s’do ta lë ta bëjë”.

I njëjti ishte arrestuar gjatë ditës se 27 marsit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore