Lajme

Si ndodhi shpërthimi nga bombola e gazit në Mitrovicë?


Policia e Kosovës ka njoftuar se shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës të shtunën ku 14 persona pësuan lëndime ndodhi në bodrumin e një shtëpie.

“Katërmbëdhjetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në bodrumin e shtëpisë ku po qëndronin. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Shkaqet e shpërthimit ende nuk dihen”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se përveç të lënduarve si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Organet e rendi kanë njoftuar se në vendin e ngjarjes përves njësive të nevojshme policore kishin dalë edhe zjarrfikësit dhe eksperti i zjarrit.

Të shtunën, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se katër nga të lënduarit e kanë gjendjen më të rënduar.

Katër nga ta janë operuar në sallën emergjente, kurse tek të tjerët janë kryer ndërhyrje në sallën e vogël të ndërhyrjeve kirurgjike, Shërbimin e Reanimimit dhe atë Kirurgjik, të po kësaj klinike.

“4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia”, ka njoftuar ShSKUK-ja.

Ndërsa, tetë pacientë të tjerë janë transferuar në Klinikës e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikëqyrjen nga stafi shëndetësorë, derisa 2 janë transferuar në Kirurgjinë Abdominale dhe një do të transferohet në Kirurgji Torkale.

Nga ShSKUK-ja kanë nënvizuar se stafi mjekësor dhe infermieror i këtyre klinikave do të vazhdojë të ofrojë kujdes dhe mbikëqyrje shëndetësore 24-orëshe për këta pacientë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore