Lajme

Shuhet anëtari historik i grupit “Ricchi e Poveri”


Franco Gatti, anëtari historik i grupit “Ricchi e Poveri” ndërroi jetë në Genova në moshën 80-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia italiane “Ansa”, duke cituar njoftimin e kolegëve, së bashku me familjen e tij.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se do të merrte pjesë në homazhet kolektive, duke shkruar një postim në Twitter.

“Një pjesë e historisë së muzikës italiane po largohet, një njeri që i ka përballuar sfidat e dhimbshme të jetës me shumë dinjitet. Lamtumirë Franco”.

Franco Gatti kishte qenë gjithmonë më i turpshmi i grupit, edhe nëse herë pas here ai zbulonte ironinë e tij të fshehur si një ligurian i mirë, shkruan gazeta “Corriere della Sera”.

Por në vitin 2013 ai u godit nga fatkeqësia që asnjë qenie njerëzore nuk mund ta durojë: vdekja e djalit të tij 23-vjeçar Alessio.

Ai u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Nervi, në Genova.

Franco dhe kolegët e tij ishin gati të dilnin në skenën e teatrit Ariston, për të marrë çmimin e arritjeve të karrierës gjatë Festivalit të Sanremo-s, por një telefonatë e njoftoi se djali i tij ishte zhdukur.

Kjo dhimbje do ta shkatërronte përgjithmonë.

Në vitin 2016, Franco i dha lamtumirën grupit për t’iu përkushtuar familjes së tij.

“Ricchi e Poveri” kanë lindur artistikisht në vitin 1968.

Gatti ka qenë pjesë e grupit që nga krijimi, atëherë kur ai përbëhej nga katër elementë.

Tre të tjerët ishin Angela Brambati, Marina Occhiena dhe Angelo Sotgiu.

Grupi mbetet edhe sot ndër artistët italianë me numrin më të madh të disqeve të shitura dhe ndër grupet më jetëgjatë, së bashku me Poohs, Nomads dhe Stadio.

Në vitin 1978 ata përfaqësuan edhe Italinë në Eurovision.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore