Lajme

Shtëpia e Bardhë kërkon “pauzë humanitare”, jo armëpushim në Gaza


Sekretari i shtypit për Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, përsërit qëndrimin aktual të administratës Biden kundër një armëpushimi në luftën e Gazës.

Vërejtja vjen pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të marrë në konsideratë “pauza humanitare” në luftimet në Gaza për të mbrojtur më mirë civilët.

“Nga një armëpushim tani do të përfitojë vetëm Hamasi”, tha Kirby gjatë një konference për shtyp.

Kirby sqaroi se pauzat humanitare janë mjete për periudha të përkohshme kohore.

“Kjo nuk është njësoj si të thuash një armëpushim”, shton ai.

Të hënën, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ndalimi i sulmeve ndaj Hamasit do t’i lejonte organizatës terroriste të rigrupohet.

Vërejtja e Blinken-it erdhi gjatë fjalimit të tij në një mbledhje ministrore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi luftën.

Kjo ishte hera e parë që një zyrtar amerikan ka bërë thirrje publike për çdo lloj ndalimi të luftimeve.

“Civilët palestinezë duhet të mbrohen. Kjo do të thotë që Hamasi duhet të ndalojë përdorimin e tyre si mburoja njerëzore. Është e vështirë të mendosh për një akt cinizmi më të madh”, thotë Blinken.

Sipas Blinken, kjo nënkupton se Izraeli duhet të marrë të gjitha masat e mundshme për të shmangur dëmtimin e civilëve.

“Kjo do të thotë se ushqimi, uji, ilaçet dhe ndihmat e tjera thelbësore humanitare duhet të jenë në gjendje të qarkullojnë në Gaza dhe për njerëzit që kanë nevojë për to. Kjo do të thotë se civilët duhet të jenë në gjendje të dalin nga rreziku. Kjo do të thotë se duhet të merren parasysh pauzat humanitare për këto qëllime”, shtoi sekretari amerikan.

I pyetur pas largimit nga një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë nëse ai mendon se ndihma humanitare po arrin në Gaza mjaft shpejt, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden u përgjigj: “Jo aq shpejt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore