Lajme

Shpresë për Italinë, ndërsa hapet gjyqi 4 vite pas tragjedisë në Urën e Genova-s


Ka filluar gjyqi i shumëpritur për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Genova katër vjet më parë, ku pas shembjes së urës së autostradës Ponte Morandi mbetën të vrarë 43 njerëz.

Në të janë të përfshirë figurat kryesore përgjegjëse për kujdesin e strukturës.

59 persona përballen me një sërë akuzash, si vrasje nga pakujdesia dhe dështimet e sigurisë. Familjet e atyre që humbën jetën thonë se nuk shpresojnë vetëm për drejtësi.

“Një Itali ndryshe mund të dalë nga ky gjyq”, tha kryetarja e komitetit për viktimat e fatkeqësisë, Egle Possetti.

“Është maja e një ajsbergu, sepse nuk është vetëm ura Morandi që ka pasur probleme, por e gjithë infrastruktura e vendit që duhet të kontrollohet siç duhet”, tha ajo për agjencinë e lajmeve “Ansa”, përcjell Albanian Post.

Ura, në autostradën A10 përmes Genova-s, lidhte Italinë Veriore me Francën.

Një seksion prej 200 metra ra gjatë një stuhie më 14 gusht 2018, duke dërguar dhjetëra automjete që u zhytën 45 metra në shtratin e thatë të lumit më poshtë.

Katastrofa është fajësuar për kabllot, të mbështjellë me beton në një shtyllë ure, të cilat u gërryen nga ajri i detit.

Shumë nga 59 në gjyq punuan për firmën italiane të autostradës “Autostrade per Italia” (Aspi) dhe kompaninë inxhinierike Spea, e cila ishte përgjegjëse për kujdesin e urës.

Shumica prej tyre akuzohen se e dinin se ura mund të shembet, por nuk kanë vepruar dhe të gjithë të pandehurit mohojnë akuzat kundër tyre.

Akuzat variojnë nga vrasja e shumëfishtë, deri te heqja e qëllimshme e veçorive të sigurisë në vendin e punës dhe dëmtimi i sigurisë së transportit.

Shembja e një ure dhe kërkimi i dëshpëruar për trupa janë ende kujtime të gjalla për ata që dëshmuan katastrofën vdekjeprurëse në shiun e rrëmbyeshëm katër vjet më parë.

Jashtë gjykatës të enjten, i mbijetuari Gianluca Ardini tha se ndihej i detyruar të vinte në gjyq për të qenë pranë familjeve të viktimave.

Ai mbeti i bllokuar për orë të tëra në furgonin e tij 20 metra mbi tokë para se të shpëtohej me plagë të rënda. Kolegu i tij u vra.

“Ajo që ndodhi është një turp! Drejtuesit e Aspit e dinin se sa keq ishte kujdesur për atë urë të mallkuar, por nuk ndërhynë që të fitonin më shumë para”.

Ish-shefi ekzekutiv i Aspi-së, Giovanni Castellucci, është ndër më të njohurit nga ata që janë në gjyq.

Avokati i tij tha se ishte e rëndësishme të vërtetohej e vërteta pas shembjes së urës dhe gjyqi do të zbulonte se një defekt ndërtimi ishte përgjegjës për fatkeqësinë.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore