Lajme

Shpenzimet për mbrojtën e të akuzuarave nga Specialja, cili avokat u pagua më së shumti?


7 milionë e 540 mijë euro janë shpenzuar gjatë vitit 2020, 2021 nga avokatët mbrojtës të akuzuarave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Ndërkaq sipas listës së shpenzimeve të tyre të cilën e posedon Albanian Post, avokati Rohini Alagendra që mbron ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin është paguar më së shumti, me gjithsej 1.245.250.00 euro.

David Young që mbron ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimin, është paguar 1,179,700.00 euro.

Në listën e pagesave i treti është Jonathan Rees, cili mbron ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatin.

Rees është paguar 1,134,750.00 euro.

Ndërsa për dy vite punë avokati Pierre R. Prosper që mbron ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, nga kuleta e Shtetit mori  1,114,901.00 euro.

Bat Martens dhe Toby Cadman janë dy avokatët e ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj.

I pari mori 953,315.83 euro, derisa i dyti 33,648.13 euro, derisa avokati i Salih Mustafës, Von Bone u pagua me 893,672.14 euro.

Më pak para u shpenzuan për mbrojtjen e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Për Ben Emmerson u paguan 854,724.91 euro.

Avokati i Pjetër Shalës, Jean L. C Gilissen u pagua më së paku me vetëm  130,000.00 euro.

Po ashtu avokatët e lartcekur, vetëm gjatë muajit janar të këtij viti kanë marrë 665,600.00 euro nga buxheti i Kosovës.

Emri dhe mbiemri     Avokati                    

Salih Mustafa               Von Bone                         71,000 € 

Jakup Krasniqi            V. Rohini Alagendra    91,000€

Rexhep Selimi             David Young                   91,000€

Hysni Gucati                Jonathan Rees               81,000€

Nasim Haradinaj       Toby Cadman                  81,000€

Hashim Thaqi             Pierre R. Prosper          90,6000€

Kadri Veseli                 Ben Emmerson              95,000€

Pjeter Shala                 Jean L. C Gilissen          65,000€

Ndryshe me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Drejtësisë të datës 24 korrik 2020, përcaktohet se mbulimi financiar i avokatëve, bëhet në bazë të tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës; tarifave për avokatë në Holandë; tarifave të shtetit prej nga vjen mbrojtësi dhe tarifave për mbrojtje juridike të personit të akuzuar potencial të Dhomave të Specializuara.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se buxheti për mbështetje financiare për personat e akuzuar potencial është përcaktuar me ligj, ku janë paraparë mjete në vlerë prej 17 milionë euro.

Sipas Ligjit, çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Por, pos mbulimeve të shpenzimeve të përfaqësimit ligjor, shteti do të paguajë edhe për të gjitha shpenzimet e vizitave të familjarëve të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara.

Kjo është e rregulluar me një udhëzim të veçantë administrativ të datës 23 korrik 2020.

“Çdo person i akuzuar potencial, brenda një viti, ka të drejtë të vizitohet me mbështetje të nevojshme financiare, më së shumti nga dymbëdhjetë anëtarë të ngushtë të familjes, dhe jo më shumë se tre anëtarë të familjes për një vizitë”, përcaktohet në udhëzim.

Në këtë kategori përfshihen bashkëshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat.

Në kuadër të Ligjit për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, është përfshirë edhe realizimi i së drejtës për kompensimin e personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, të shpallur të pafajshëm me vendim të plotfuqishëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore