Shqipëria

Shkodër/ Reshjet e shiut çojnë në rrëshqitje gurësh në disa akse rurale, disa fshatra pa energji


Në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër, përgjatë 24 orëve të fundit, kanë vijuar reshjet e shiut.

Dhe nga reshjet e rëna deri më tani nuk janë konstatuar probleme në sistemin e kullimit dhe mbrojtjes nga vërshimi i lumenjve.

Të paktën kështu është bërë me dije nga Emergjencat Civile.

Sakaq, si pasojë e reshjeve të shiut ka pasur rënie gurësh në aksin rrugor Prekal – Breglumi, sipas Bashkisë Shkodër.

Kurse në rrugën e Dukagjinit ka pasur rrëshqitje dherash e gurësh për të cilat do të punohet me anë të një fadrome për largimin e tyre.

Në Theth, një natë më parë, mësohet se ka pasur prurje të shumta të lumit të Shalës, por pa pasoja të rënda. Ura që lidh fshatin Theth me Ndërlysaj nuk është dëmtuar nga reshjet, por firma që po punon për rrugën e re atje, ka ndërhyrë pasi do të bëje rikonstruksionin e plotë të urës.

Bashkia e Vaut të Dejës ka informuar se në Vig Mnelë ka bllokim të disa rrugëve nga prurjet e lumit Gjadër.

Në Vaun e Dejës prurjet në përroin Gline dhe Tamzë kanë qenë më të ulëta pasi është kryer pastrimi në të gjithë gjatësinë.

Bashkia Fushë Arrës ka treguar se si pasojë e reshjeve të shiut është dëmtuar një banesë në fshatin Dardhë të Blerimit. Gjithashtu janë dëmtuar rrugët rurale në Iballë dhe Fierzë.

Bashkia e Malësisë së Madhe ka informuar se si rezultat i shirave të rëna gjatë natës ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në Shkrel, Kastrat, Kelmend.

Ndërkohë, Bashkia Pukë ka treguar se në Qelëz është dëmtuar totalisht aksi rrugor Qelez – Ukth Maja e Mirgës. Ka pasur rrëshqitje të rrugës në aksin rrugor të Kabashit – Memaj – Buhot, aksit rrugor Bicaj- Blinisht- Krovë.

Në Gjegjan ka pasur dëmtim në çatinë e shkollës qendër Gjegjan. Ndërsa në rrugët rurale ka prezencë inertesh si pasojë e shkarjeve të gurëve dhe dherave.

Kanali vaditës Rras Kuzhnen është dëmtuar plotësisht. Po ashtu edhe ura e Rras Kuzhnenenit.

Nga ana tjetër, në njësinë Pukë ka rrëshqitje të trupit të digës së rezervuarit. Dhe për ndërhyrje në stabilizimin e situatës kërkohen dy mjete, një fadromë dhe një kamion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore