Lajme

SHKK në përkrahje të marrëveshjes me Danimarkën për transferimin e 300 të burgosurve


Ilustrim

Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka përkrahur marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Ismail Dibrani – zyrtar i lartë në SHKK, ka deklaruar se ky institucion do të përfitojë nga kjo marrëveshje.

“Buxheti total korrektues për një vit është afër 18 milionë euro, prej kësaj marrëveshje shteti i Kosovës do të përfitojë diku afër 21 milionë euro, se diku afër 15 milionë euro do të shfrytëzohen për SHKK dhe gjashtë milionë euro për energji të ripërtritshme”.

Ismail Dibrani – zyrtar i lartë në SHKK

“Për një kategori që ne i pranojmë afër 300 të dënuar e kemi buxhetin më të madh sesa krejt buxheti që është për SHKK që janë një mijë e 700 të burgosur dhe një mijë e 700 staf të angazhuar”, është shprehur ai për KP.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se mbajtja e të burgosurve të vendeve të treta do të shkaktojë shumë probleme.

“Në parim dua të qëndroj mbi atë se Avokati i Popullit për vite me radhë ka adresuar si shqetësim tek autoritetet kapacitetet e burgjeve, mungesa e hapësira dhe mbipopullimin si njëra prej shqetësimeve shumë serioze me të cilën ballafaqohen të burgosurit që vuajnë dënimin ose janë të paraburgosur në SHKK”.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj

“Padyshim në këtë situatë kur gjendja filloi të përmirësohet dhe raportet kohëve të fundit ishin më të balancuara dhe tregonin për një standard në ngritje, kjo mund të shkaktojë shumë problem”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se nga Danimarka mund të vijnë edhe të burgosur shqiptarë.

“Të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka për të vuajtur dënimin e tyre në burgun e Gjilanit nuk do të jenë shtetas danezë por shtetas të vendeve të treta, që mund të jenë edhe nga Kosova”, deklaroi Haxhiu para deputetëve në Komisionin për Legjislacion.

Ajo theksoi edhe shpenzimet vjetore për 300 të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu

“Sipas analizave diku pesë milionë  euro është kostoja jonë vjetore për të burgosurit, drejtori do të jetë danez, stafi menaxhues, do të jenë danezë ndërkaq gardianët do të jenë nga Kosova”.

Po ashtu, ministrja tha se në draft-marrëveshjen me Danimarkën mund të refuzojnë ndonjë të burgosur që është i dënuar për vepra të ndjeshme siç është ajo për pedofili.

“Nëse e shohim se një i burgosur ka vepër për pedofili ose vepër tjetër më të ndjeshme ne mund ta refuzojmë”, u shpreh ajo.

Ajo bëri të ditur edhe atë se si procedohet në rastet kur të burgosurit kryejnë dënimin.

“Gjashtë muaj më parë ne njoftohemi dhe përgatitemi për dërgimin në Danimarkë, dhe pastaj në vendin e origjinës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore