Lajme

Shkencëtarët zbulojnë një gjen, i cili dyfishon rrezikun nga COVID-19


Një gjen, i cili mendohet se dyfishon rrezikun e rritjes së infeksioneve dhe vdekjeve nga COVID-19, është zbulimi i fundit i shkencëtarëve të Universitetit të Oksfordit.

Sipas tyre, ky gjen ka më shumë probabilitet të gjendet te njerëzit me prejardhje nga Azia Jugore, rreth 60% dhe 15% tek ata me prejardhje evropiane.

Shkencëtarët ritheksojnë nevojën e vaksinimit.

Një studim i kryer nga revista shkencore “Nature Genetics” hedh dritë mbi faktin se, pse disa komunitete në Mbretërinë e Bashkuar dhe Azinë Jugore, janë në rrezik më të lartë nga COVID-19.

Duke u bazuar në punën e mëparshme gjenetike, studiuesit përdorën një kombinim të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së re molekulare për të identifikuar gjenin e saktë – të quajtur LZTFL1 – përgjegjës për rreziqet në rritje.

Ata vlerësojnë se versioni i rrezikshëm i gjenit është i pranishëm në rreth 2% të njerëzve me prejardhje afrikano-karaibe dhe 1.8% të njerëzve me origjinë të Azisë Lindore.

Studiuesi James Davies tha se zbulimi, se gjeni i rrezikshëm nuk prek të gjitha popullatat në mënyrë të barabartë, ishte shumë i rëndësishëm.

Ai theksoi gjithashtu se një përzierje komplekse faktorësh – duke përfshirë moshën në veçanti – kontribuon në rrezikun individual të secilit person.

Faktorët socio-ekonomikë mund të jenë të rëndësishëm.

“Megjithëse ne nuk mund ta ndryshojmë gjenetikën tonë, rezultatet tregojnë se njerëzit, që kanë të mbartur këtë gjen, duhet të vaksinohen”, shtoi Davies.

Si të mbrohemi?

Studiuesit besojnë se ky version ul imunitetin e mushkërive, duke prishur mekanizmin e qelizave, të cilat mund t’i mbrojnë njerëzit nga COVID-19.

Kur qelizat që mbrojnë mushkëritë ndërveprojnë me coronavirus-in, ato nuk kanë të njëjtin efekt mbrojtës.

Ky proces despecializimi zvogëlon sasinë në sipërfaqen e qelizave të një proteine ​​kryesore të quajtur ACE-2, e cila është çelësi për ngjitjen e coronavirusit me qelizat.

Kjo do të thotë se njerëzit me rrezik të lartë mund të kenë ende mbrojtje imune nga vaksina.

Marrë dhe përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore