Shqipëria

Shkarkohet nga detyra Agron Zhukri, gjyqtari që i dha PD-në Berishës


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar gjyqtarin e Tiranës, Agron Zhukri.

Kjo pasi ai nuk arriti ta justifikojë pasurinë e tij gjatë përballjes me procesin e vetting-ut.

Zhukri, u shfaq në titujt e mediave, pasi vendosi që të lërë vulën dhe logon e Partisë Demokratike në duart e Sali e Berishës.

Seanca e shqyrtimit për Zhukrin u zhvillua të mërkurën e 17 prillit.

Në seancë u tha se nuk janë vërtetuar një pjesë e të ardhurave të deklaruara nga aktiviteti privat, si dhe nuk është provuar pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat si ndërmjetëse.

Po ashtu, KPK tha se edhe për pagesat e kryera në vitin 2003 nga bashkëshortja e subjektit për blerjen e një apartamenti në Qerret, kanë rezultuar me bilanc negativ në masën rreth 11 milionë lekë.

Prenotimi është deklaruar në vitin 2004 – subjekti ka shpjeguar se për këtë pasuri është paguar shuma 43 mijë euro, ndërkohë që në kontratë përcaktohet shuma 55 mijë euro.

Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Procesi i vetting-ut për të u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Zhukri nuk ka deklaruar ndonjë pasuri në përdorim, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Lulzim Bashës e pati kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme për shpërdorim detyre.

“Gjyqtari Agron Zhukri shkeli vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore. Më 23 mars, ai caktoi seancën në mënyrë të pashpjegueshme, megjithëse vendimi i gjyqtares tjetër për regjistrimin e ndryshimeve statutore nuk është zbardhur dhe nuk na është komunikuar”, thuhet në kallëzimin e PD.

Gjithashtu sipas deklaratës, PD vë në dijeni SPAK se e ka ankimuar vendimin, duke qenë se Gjykata nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e saj. Për shkak të ankimimit, në Regjistrin e Partive Politike nuk janë pasqyruar ndryshimet statutore të 17 korrikut.

“PD i kërkon SPAK-ut të administrojë kamerat e gjykatës, ku shohet qartë takimi I gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e atij që njihet si Komisioni i Rithemelimit. PD sqaron se gjyqtari Zhukri e ka caktuar seancën pas këtij takimi”.

Në kallëzimin penal, PD sqaron se gjyqtari Zhukri nuk i ka lajmëruar për të marrë pjesë në seancë, megjithëse Gjykata ka administruar kërkesat e PD përmes të cilave gjyqtari Zhukri është vënë në dijeni se kërkesa që ai kishte për të shqyrtuar ishte në kundërshtim me ligjin për partitë politike.

“Mosthirrja e PD si palë e trete, me interesa të ligjshme në proces, cenon rëndë detyrimet ligjore dhe është bërë me qëllimin për të marrë një vendim në fshehtësi dhe për të favorizuar një palë, që ai vetë ka pranuar se ka lidhje”.

Sipas tyre, Zhukri ka shkelur rëndë ligjin duke marrë një vendim pa pasur më parë një vendim të formës së prerë për pasqyrimin e ndryshimeve statutore të 17 Korrikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore