Lajme

Shkalla më e lartë e burgosjeve në botë në qarkun ujgur të Kinës


Thuajse një në 25 persona në një qark të qendrës ujgure të Kinës është dënuar me burg për akuza të lidhura me terrorizmin.

Çka shënon normën më të lartë të burgimit në botë.

Një listë e marrë dhe e verifikuar pjesërisht nga “Associated Press” citon emrat e më shumë se 10 mijë ujgurëve të dërguar në burg vetëm në qarkun Konasheher.

Kina, vitet e fundit, ka kryer një goditje brutale ndaj ujgurëve, një pakicë kryesisht myslimane, të cilën e ka përshkruar si “luftë kundër terrorit”.

Lista është larg nga më e madhja që ka dalë deri më tani me emrat e ujgurëve të burgosur, duke pasqyruar madhësinë e madhe të një fushate të qeverisë kineze që përfshiu rreth një milion ose më shumë njerëz në kampe internimi dhe burgje.

Po ashtu konfirmon atë që familjet dhe grupet e të drejtave kanë thënë prej vitesh: Kina po mbështetet në një sistem burgimi afatgjatë për të mbajtur nën kontroll ujgurët, duke përdorur ligjin si armë shtypjeje.

Zyrtarët kinezë, nën kritikat e ashpra ndërkombëtare, kanë njoftuar mbylljen në vitin 2019 të kampeve të internimit afatshkurtër dhe jashtëgjyqësor, ku ujgurët u morën pa akuza.

Megjithëse vëmendja u përqendrua te kampet, mijëra ujgurë ende vuajnë për vite apo edhe dekada në burg.

Qarku Konasheher është tipik për Xinjiang-in jugor rural dhe më shumë se 267 mijë njerëz jetojnë atje.

Referuar listës, dënimet me burg në të gjithë qarkun janë nga dy deri në 25 vjet, me një mesatare prej nëntë vjetësh.

Teksa njerëzit në listë u arrestuan kryesisht në vitin 2017, sipas ujgurëve në mërgim, dënimet e tyre janë aq të gjata sa shumica dërrmuese do të ishin ende në burg.

Ata që u përfshinë vinin nga të gjitha sferat e jetës. Ishin burra, gra, të rinj dhe të moshuar. Ata kishin vetëm një gjë të përbashkët: ishin të gjithë ujgurë.

Sipas ekspertëve, kjo tregon qartë se njerëzit ishin në shënjestër thjesht sepse ishin ujgurë, i cili është një përfundim i mohuar me forcë nga autoritetet kineze.

Për zëdhënësin e Xinjiang-ut, Elijan Anayat, dënimet u kryen në përputhje me ligjin.

“Kurrë nuk do të synojmë në mënyrë specifike rajone të veçanta, grupe etnike, aq më pak ujgurët, kurrë nuk do t’i bëjmë keq të mirës, ​​as nuk do ta çlirojmë të keqen”, ka thënë ai.

Për sa i përket listës, ajo u mor nga studiuesi i Xinjiang-ut, Gene Bunin, nga një burim anonim.

Më, ajo iu kalua “Associated Press” nga Abduweli Ayup, një gjuhëtar ujgur i mërguar në Norvegji.

Agjencia e vërtetoi atë përmes intervistave me tetë ujgurë që njohën 194 persona në listë, si dhe njoftime ligjore, regjistrime të telefonatave me zyrtarë kinezë dhe kontrolle të adresës, ditëlindjeve dhe numrave të identitetit.

Lista nuk përfshin persona me akuza tipike penale si vrasje apo vjedhje.

Përkundrazi, fokusohet në veprat që lidhen me terrorizmin, ekstremizmin fetar ose akuzat e paqarta të përdorura tradicionalisht kundër disidentëve politikë.

Kjo do të thotë se numri i vërtetë i njerëzve të burgosur është pothuajse me siguri më i lartë.

Shkalla e burgimit në Konasheher është më shumë se dhjetë herë më e lartë se ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu është më shumë se 30 herë më i lartë se për Kinën në tërësi.

Për ekspertin Darren Byler, shumica e arrestimeve ka qenë arbitrare dhe jashtë ligjit.

“Në asnjë vend tjetër nuk kemi parë popullata të tëra njerëzish të përshkruhen si terroristë ose të shihen si terroristë”, ka thënë ai.

Pastaj, natyra e fshehtë e të dhënave të të burgosurve është për t’u dyshuar.

Paçka se Kina i bën të dhënat ligjore lehtësisht të aksesueshme, pothuajse 90 për qind e të dhënave kriminale në Xinjiang nuk janë publike.

Një pjesë e vogël që ka rrjedhur tregojnë se njerëzit akuzohen për terrorizëm për akte të tilla si paralajmërimi i kolegëve që të mos shikojnë pornografi dhe të shajnë.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore