Shqipëria

Shembet ndërtesa në Torino, gjendet i pajetë 4-vjeçari shqiptar


Një fëmijë 4 vjeç ka mbetur i pajetë, ndërsa e ëma e tij me shtetësi shqiptare ka marrë plagë të lehta pas shembjes së një ndërtese dykatëshe, në Torino, të martën e 24 gushtit.

Sipas mediave italiane, ishte ora 8.50 e mëngjesit kur një ndërtesë dykatëshe u shemb në rrugën e “Bramafame”, në periferi të Madonna di Campagna.

I mituri 4-vjeçar ka gjetur vdekjen e menjëhershme nën rrënoja, ndërsa nëna e tij 34-vjeçare është ende gjallë. Ajo u gjet pas një ore pune nga zjarrfikësit dhe u shtrua në urgjencën e spitalit.

Gruaja, e cila ishte shtetase shqiptare, sipas Corriere della Sera, mori vetëm plagë të lehta dhe mund të lërë spitalin brenda ditës.

Rreth orës 10.30, nën rrënoja u gjet gjithashtu dhe një burrë, i cili është transportuar në spital. Gjendja e tij duket më pak serioze. Dy djem të tjerë u shpëtuan jashtë ndërtesës dhe një 22-vjeçar, i cili jetonte në katin e dytë, pësoi djegie të rënda në pjesën më të madhe të trupit.

Për momentin nuk duket se ka persona të tjerë të mbetur në shembjen e ndërtesës.

Ndërkohë, operacionet e kërkimit të njerëzve përfunduan në orën 1.30 pasdite.

Konsulli i përgjithshëm i Rumanisë, Ioana Gheorghias, mbërriti në rrugën e Bramafame për të kuptuar situatën që ka ndodhur.

“Ka ende pak informacion. Ne e dimë se janë të paktën dy nga bashkatdhetarët tanë të përfshirë. E takuam njërin prej tyre dhe për fat ai është mirë, ndërsa tjetri fatkeqësisht është në spital”.

Marrë nga Corriere della Sera, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore