Lajme

Shefi i misionit UNCHR: Situata – stabile, Kosova ka kapacitet për 240 azilkërkues


Shefi i misionit UNCHR, Erol Arduç në takim me an╒tarët e Komisonit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione

Shefi i misionit të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), Erol Arduç, ka thënë se situata me azilkërkues në Kosovë është stabile.

Ai gjatë takimit të tij me anëtarët e Komisonit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka thënë se ka tre vjet që punon në Kosovë me një ekip që ka eksperiencë me refugjatë.

“Situata e atyre që kërkojnë azil në Kosovë deri tani është stabile për shkak të disa arsyeve. E para ka ligje solide e të qarta në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare dhe procedura të qarta. Jam shumë i kënaqur që punoj këtu. Jam takuar me një atmosferë shumë bashkëpunuese këtu në Kosovë. Anëtarët e ekipit janë shumë të rijnë dhe kanë eksperiencë pune me 15 vjet me refugjatë këtu në Kosovë”, është shprehur ai.

Arduç ka theksuar se në Kosovë janë dy qendra kryesore të azilkërkuesve, të cilat sipas tij kanë kapacitet të pranojnë deri në 100 azilkërkues.

“Kemi dy qendra të azilkërkuesve njëri në Magure që mund të pranojë 100 persona. Dhe një në Vranidol që mund të pranojë 140 persona aty. Të premten kemi bërë hapjen e kësaj qendre pas disa riparimeve si ndihmë nga Bashkimi Evropian. Këto dy qendra i plotësojnë kushtet e duhura”, ka shtuar ai.

Po ashtu, ai ka potencuar se në Kosovë mbrojtja e refugjatëve është lidhur ngushtë me kapacitet e misionit të UNHCR-së, duke shtuar se po punohet që azilkërkuesit të integrohen sa më shpejt në shoqërinë kosovare.

“Jemi duke u fokusuar në integrimin e refugjatëve. Të bëhen pjesë e shoqërisë kosovare pasi kjo është një sfidë e madhe akoma. Si të punësohet e edukohen”, është shprehur ai.

Ndërkaq në anën tjetër, Kryetarja e Komisionit, Dude Balje, ka thënë se është e rëndësishme që secili refugjatë të ketë mundësinë dhe kushtet për një jetë normale, duke iu drejtuar Arduç për pjesën shëndetësore të fëmijëve, sa është numri i tyre dhe cilat janë kushtet.

Sipas Arduç, numri i azilkërkuesve fëmijë nuk është i lartë dhe ka pasur vetëm një rast të lindjes së një fëmije.

“Kjo është një gjë me rëndësi shumë të madhe. Ne kemi një regjim ku kemi filluar të punojmë me fëmijët tani sa i përket proceduarve të duhura që së bashku me autoritetet po bëjmë procedurat standarde për operim.Nuk kemi shumë fëmijë që lindin në Kosovë, e kemi pasur vetëm një rast por ata nuk qëndrojnë shumë në Kosovë janë vetëm përkohësisht këtu. Numri i fëmijëve nuk është aq i lartë, kemi shtatë fëmijë të ndarë nga familja që janë këtu”, është përgjigjur ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore