Lajme

SHBA-të do t’i përgjigjen mbikëqyrjes kineze të kompanive amerikane


Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjen synimeve të Kinës ndaj kompanive amerikane, të cilat Washington-i i konsideron të motivuara politikisht dhe të padrejta.

Kështu u shpreh ambasadori amerikan në Kinë, Nicholas Burns, duke cituar transmetuesin “Al Jazeera”.

Ai tha se në muajt e fundit, autoritetet kineze kanë veçuar dhe kanë filluar mbikëqyrjen e shtuar të pesë kompanive amerikane: Micron, Deloitte, Bain&Company, Capvision dhe Mintz Group.

“Kjo nuk u ndodh kompanive në vende të tjera, por ndodh me tonat”, tha Burns, raporton “Reuters”.

Ai vlerësoi se këto janë lëvizje të karakterit politik.

“Nga këndvështrimi i Kinës duket si hakmarrje, por është e gabuar. Natyrisht ne do t’i rezistojmë kësaj dhe do të luftojmë”, tha Burns.

Diplomati amerikan shtoi se SHBA-të po kufizojnë aftësinë e kompanive amerikane për të shitur teknologji të avancuar, si gjysmëpërçuesit e avancuar, në Kinë.

“Përderisa ne konkurrojmë, është e rëndësishme që ta menaxhojmë atë garë në mënyrë që të ketë kufij, që është se gara duhet të jetë paqësore”, tha ai.

Disa kompani amerikane janë përballur me një kontroll të shtuar në Kinë gjatë muajve të fundit.

Kjo, duke përfshirë prodhuesin amerikan të çipave të memories Micron Technology, të cilin rregullatori kibernetik i Kinës tha në maj se do të ndalohej t’ua shiste operatorëve të infrastrukturës kritike në Kinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore