Lajme

SHBA-të dhe Kina krijojnë grup pune për çështjet e tregtisë


Kina dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord të hënën për të krijuar një grup pune për të “kërkuar zgjidhje për çështjet e tregtisë dhe investimeve”.

Mes të tjerash, ky grup do të avancojë interesat tregtare të SHBA-ve në Kinë, deklaroi Sekretarja Amerikane e Tregtisë, Gina Raimondo.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë “Reuters” dhe “AFP”.

Grupi i punës do të takohet dy herë në vit në nivel zëvendësministrash, me SHBA-të që do të presin takimin e parë në fillim të vitit 2024.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të jenë transparente në lidhje me strategjinë tonë të zbatimit të kontrollit të eksporteve”, tha ajo. “Për t’ju treguar se sa e vërtetë është kjo, takimi i parë i atij shkëmbimi të ri informacioni është nesër në Pekin”.

Pekini zyrtar ka kritikuar përpjekjet e SHBA-ve për të bllokuar qasjen e Kinës në gjysmëpërçues të avancuar përmes kontrolleve të eksportit, por Raimondo ka thënë se ato nuk janë të hapura për debat.

Shtëpia e Bardhë këtë muaj filloi të ndalojë disa investime amerikane në teknologjitë e ndjeshme në Kinë dhe planifikon të finalizojë së shpejti kufizimet gjithëpërfshirëse të eksportit për gjysmëpërçuesit e avancuar të miratuar në tetor.

Disa republikanë në Kongres i kishin kërkuar Raimondo në fillim të këtij muaji që të mos hapte një grup zyrtar pune për çështjet e kontrollit të eksporteve.

Raimondo vuri në dukje në fillim të këtij viti se ajo kishte vendosur mbi 200 kompani kineze në një listë të kontrollit të eksporteve të SHBA-ve dhe ka thënë vazhdimisht se nuk heziton të përdorë fuqinë sipas nevojës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore