Lajme

SHBA miraton shitjen prej 120 milionë dollarësh për të mirëmbajtur anijet luftarake tajvaneze


Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një shitje të mundshme prej 120 milionë dollarësh të pjesëve për të ndihmuar Tajvanin të mirëmbajë anijet e tij luftarake, për të cilat Ministria e Mbrojtjes e ishullit tha se do të ndihmonte në sigurimin e gatishmërisë luftarake përballë “aktiviteteve të shpeshta” të Kinës pranë ishullit.

Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së SHBA-ve, në një deklaratë tha se kishte dorëzuar certifikatën e kërkuar, duke njoftuar Kongresin pas miratimit të Departamentit të Shtetit për shitjen, e cila u kërkua nga ambasada de facto e Tajvanit në Washington.

Gjithashtu bëri me dije se shitja mbulon te pjesë rezervë dhe riparimi të paklasifikuara për anijet dhe sistemet e anijeve, asistencën teknike logjistike, mbështetjen teknike dhe logjistike të qeverisë së SHBA-ve dhe përfaqësuesve të kontraktorëve.

“Shitja e propozuar do të kontribuojë në ruajtjen e flotës së anijeve sipërfaqësore të marrësit, duke rritur aftësinë e saj për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme”, tha në deklaratën e së mërkurës, duke shtuar se pjesët do të merren nga “shitës të miratuar të marinës amerikane dhe/ose SHBA”.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se marrëveshja pritej të hynte në fuqi brenda një muaji dhe shprehu falënderimet e saj për Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në ndihmën që Tajvani të mund të mbrohej.

“Në funksion të aktiviteteve të shpeshta të kohëve të fundit të anijeve luftarake kineze në det dhe hapësirën ajrore rreth vendit tonë, pjesët e anijeve që Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të shesin do të ndihmojnë në ruajtjen e pajisjeve dhe konsumit të duhur të anijeve tona detare dhe në përmbushjen e detyrave”, thuhet në të.

Asnjëra palë nuk dha detaje se cilat pjesë do të merrte Tajvani.

Shumica e luftanijeve kryesore të Tajvanit janë të prodhuara ose të projektuara nga SHBA-të.

Ishulli i qeverisur në mënyrë demokratike është ankuar për misione të përsëritura nga forcat ajrore të Kinës në zonën e tij të mbrojtjes ajrore, pjesë e asaj që Washington-i e sheh si përpjekje të Pekinit për t’i bërë presion Taipeit për të pranuar sovranitetin e tij.

Marina e Kinës, gjithashtu, ka kryer misione gjithnjë e më të rregullta pranë Tajvanit.

Shtetet e Bashkuara, si shumica e vendeve, nuk kanë marrëdhënie zyrtare me Tajvanin, por Washington-i është mbështetësi i tij më i madh dhe është i detyruar me ligj t’i sigurojë asaj mjete për t’u mbrojtur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore