Kosova

Selakoviç: Politika e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës është aktive


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, ka thënë se politika e tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës është e gjallë dhe aktive.

“Prishtina është ajo që ka thyer marrëveshjet dhe ajo që në mënyrë të njëanshme ka vendosur të iniciojë mekanizmin për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe ne nuk do të rrimë duarkryq”, thotë Selakoviç.

Ai theksoi se dialogu dhe ulja në tryezën e bisedimeve, nuk janë vënë asnjëherë në pikëpyetje nga Serbia.

Kreyediplomati serb ka potencuar se Serbia ka arritur t’i rezistojë presionit dhe të ruajë politikën e saj, pozicionin dhe qasjen e saj sovrane për të zgjedhur rrugën e saj, përkundër presionit nga Bashkimi Evropian për ta dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Është një situatë tepër e vështirë dhe presionet nën të cilat jemi janë tepër të larta”, thekson Selakoviç për RTS.

Ai thotë se jo vetëm zyrtarë të rëndësishëm dhe përfaqësues diplomatikë të fuqive të huaja, por të gjithë, deri në nivelin e sekretarëve nëpër ambasada, po mundohen të bëjnë presion dhe të ndërhyjnë në zgjedhjen e pozitës serbe.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë dhe parimor – ne morëm qëndrimin e respektimit të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës si një shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe anëtar i Kombeve të Bashkuara, dhe nga ana tjetër ne dënuam atë që është një qasje e armatosur për të gjetur një zgjidhje. Ne pohojmë dhe vazhdimisht bëjmë thirrje për dialog dhe negociata”, pohoi ai.

“Nuk ka dyshim se rruga jonë është evropiane, por edhe për të mbrojtur miqësitë dhe interesat tona shtetërore e kombëtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore