Lajme

Selakoviç e quan “ekstremiste” eurodeputen, Viola von Cramon


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviç, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Viola Von Cramon, e cila deklaroi se pozicioni “neutral” i Serbisë ka marrë fund.

Ai përmes një komunikate me shkrim ka thënë se “vetëm ekstremistët mund të shqetësohen nga neutraliteti i dikujt” dhe se “Serbia është neutrale dhe është krenare për këtë, por Von Cramon nuk është neutrale sepse lobon për ‘separatistët shqiptarë’ në Kosovë”.

Vajtimi i kryediplomatit serb nuk u ndal me kaq.

Selakoviç ka kujtuar edhe kohën kur Gjermania si anëtare e NATO-s bombardoi Beogradin më 1999, por jo për arsyen që proklamon ai.

“Ushtria e vendit nga vjen Von Cramon bombardoi Beogradin, pasi qytetarët e saj guxuan të shprehnin ndjenjat e tyre liridashëse dhe pikëpamjet antifashiste”.

Selakoviç theksoi se edhe sot “qytetarët e Serbisë janë njëlloj liridashës dhe antifashistë, dhe nëse duhet të dënohen për këtë, le të jenë të paktën po aq të sinqertë dhe të thonë se kjo është arsyeja pse energjia do të jetë më e shtrenjtë për ta sesa për evropianët e tjerë”.

Shtetet e Bashkimit Evropian, të mërkurën, votuan për paketën e tetë të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat përfshijnë kufizimin e çmimeve të naftës ruse të eksportuara nga vendet e treta. Pas miratimit të këtij vendimi, Serbia nuk do të mund të importojë naftë nga Rusia përmes Janaf-it (Gazsjellësit Adriatik), çka do të thotë se sanksionet e vendosura ndaj Moskës praktikisht janë bartur edhe në Beograd.

Propozimi fillestar i Komisionit Evropian parashikonte një përjashtim kur bëhet fjalë për furnizimin nga gazsjellësi i Adriatikut, por me insistimin e disa vendeve anëtare të BE-së, ai propozim u refuzua, sepse qëndrimi është se nuk ka arsyetim që Serbia të përjashtohet.

Arsyetimi tjetër ishte se Serbia nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, prandaj nuk duhet të përfitojë nga derogimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore