Lajme

Sasia e fentanilit të sekuestruar në SHBA këtë vit “e mjaftueshme për të vrarë çdo amerikan”


DEA, agjencia amerikane për luftën kundër drogës, ka njoftuar se ka kapur këtë vit një sasi të mjaftueshme fentanili sa për të vrarë çdo person në Amerikë.

Agjencia amerikane ka sekuestruar 50.6 milionë pilula me recetë të rreme me fentanil dhe më shumë se 10 mijë paund pluhur fentanil këtë vit.

Konfiskime këto, që në total përfaqësojnë më shumë se 379 milionë doza vdekjeprurëse.

Fentanili, sipas DEA-s, është kërcënimi më vdekjeprurës i drogës me të cilin përballen aktualisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Këto konfiskime – doza të mjaftueshme vdekjeprurëse të fentanilit për të vrarë çdo amerikan – pasqyrojnë angazhimin e palëkundur të DEA-s për të mbrojtur amerikanët dhe për të shpëtuar jetë duke ndjekur me këmbëngulje ata që janë përgjegjës për trafikimin e tij në SHBA”, ka thënë administratorja e DEA-s, Anne Milgram.

Sipas saj, prioriteti kryesor operacional i DEA-s është të mposhtë dy kartelet meksikane të drogës – kartelet Sinaloa dhe Jalisco – që janë kryesisht përgjegjës për fentanilin që po vret amerikanët.

Aktualisht, pjesa më e madhe e fentanilit të trafikuar nga dy kartelet prodhohet në masë në fabrika sekrete në Meksikë me kimikate me burim kryesisht nga Kina.

Muajin e kaluar, DEA paralajmëroi publikun amerikan për një rritje të mprehtë të vdekshmërisë së pilulave të rreme me recetë me fentanil.

Testet laboratorike zbuluan se gjashtë nga dhjetë pilula me recetë të rreme të lidhura me fentanil përmbanin një dozë potencialisht vdekjeprurëse të drogës.

“Kurrë mos merrni një pilulë që nuk ju është dhënë direkt me recetë”, ka theksuar Milgram.

“Asnjëherë mos merrni një pilulë nga një mik. Asnjëherë mos merrni një pilulë të blerë në mediat sociale. Vetëm një pilulë është e rrezikshme dhe mund të vrasë”, ka shtuar ajo.

Vitin e kaluar, DEA lëshoi një alarm për sigurinë publike duke paralajmëruar amerikanët për një rritje drastike të pilulave me recetë të rreme që përmbajnë fentanil dhe metamfetaminë që shiten në të gjithë vendin.

Dhe shumë pilula të tilla janë bërë që të duken saktësisht si medikamentet me recetë, duke përfshirë OxyContin, Percocet dhe Xanax.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore