Kosova

Sarrazin: Pas ngjarjes në Banjë, e nevojshme të bëhet një shtysë e re në dialog


I Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

I Dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se shteti që ai përfaqëson, por edhe Bashkimi Evropian në përgjithësi, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, do të bëjë një shtytje të re në dialogun Kosovë-Serbi për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Ne duhet të përpiqemi të kemi nga njëra anë agjendën e de-përshkallëzimit. Ajo është e përshkruar qartë nga incidentet e muajit maj dhe tani kemi disa çështje të pazgjidhura, por veçanërisht tani ato janë pritshmëri të qarta nga Bashkimi Evropian për atë çfarë do të japë Serbia për de-përshkallëzimin, veçanërisht në lidhje me mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit të 24 shtatorit”, ka thënë Sarrazin për “KosovaPress”.

Nga ana tjetër, pohoi ai, “ne besojmë fuqimisht se nuk është ide e mirë të fokusohemi vetëm në de-përshkallëzimin”.

“Në të njëjtën anë, ne duhet gjithashtu të përpiqemi që marrëveshja e Ohrit të zbatohet përsëri, dhe të bëjmë një shtytje të mëtejshme për të marrë përsëri rezultatin e përgjithshëm pozitiv atje. Dhe kjo është ajo që mund të prisni nga Gjermania dhe nga Bashkimi Evropian, që edhe tani, dhe veçanërisht tani, do të përpiqemi të bëjmë një shtytje të re për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në terren nga të dyja palët, dhe ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të jenë konstruktive dhe pozitive në këtë proces”, shtoi.

Përkundër zhvillimeve të fundit, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, top-diplomati gjerman theksoi se Marrëveshja e Brukselit\Ohrit është ligjërisht funksionale, teksa kërkoi ripërkushtim nga Kosova dhe Serbia në zbatimin e saj.

“Dua të them ligjërisht ajo [marrëveshja] ende funksionon, por natyrisht politikisht është e qartë se ne kemi nevojë për një ripërkushtim ndaj [marrëveshjes] Ohrit dhe kjo mund të bëhet duke e zbatuar atë, duke dorëzuar një udhërrëfyes zbatimi, dhe duke ardhur hap pas hapi në ekzekutimin e [marrëveshjes] Ohrit, të themi ashtu”.

Kjo, theksoi Sarrazin, “është ajo që ne duam të shohim tani”, duke vlerësuar se “është e nevojshme të bëhet një shtysë e re, dhe është e nevojshme që BE të përpiqet t’i shërbejë edhe dialogut”.

“Sidomos pas asaj që ndodhi në Banjë”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore