Shqipëria

Sarrazi për Shqipërinë: Gati për nisjen e negociatave me BE-në


I Dërguari i Posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazi, gjatë takimit me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka theksuar se Shqipëria ka përparuar në fushën ligjore.

Në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, ai ka vendosur theksin se vendi ynë është gati të nisë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm të shtetit ligjor, drejtësisë, vetting-ut. Hapa që i ndjekim me vëmendje maksimale”, tha ai në fjalën e tij.

Sakaq ai u ndal dhe te plani i veprimit të vitit 2020 për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, “që është me rëndësi për ne”

“Se çfarë mund të arrihet përmes këtij bashkëpunimi shikohet shumë mirë edhe në Tiranë si shërbimet për të rinj, heqja e tarifave roaming”, tha ai.

Duke u ndalur te kriza në Ukrainë, ai tha se, ‘tema e mjedisit është me rëndësi dhe jemi të gatshëm të mbështesim energjitë e rinovueshme në mbrojtje te mjedisit. Jam këtu se së bashku me qeverinë Gjermaninë do jemi në anë të Shqipërisë”.

Në agjendë është parashikuar që gjatë kësaj dite Sarrazi të takojë zyrtarët më të lartë të shtetit në Shqipëri.

Ai do të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama dhe disa deputetë e përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile.

Sipas agjendës Sarrazi do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën rajonale “Balkan Dialogues”.

Nga ana tjetër ai ka bërë me dije se, “Qeveria Federale po angazhohet me gjithë forcën e saj për nisjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

“Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe vendimtare për stabilitetin në rajon dhe rrjedhimisht edhe për Evropën”, ka qenë mesazhi i tij.

Kush është Sarrazi?

18 shkurti do të ishte data kur ish-deputeti i Bundestag-ut nga radhët e partisë së Gjelbër mori detyrën si i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimorë.

Sarrazi me profesion është historian dhe ka qenë anëtar i Bundestag-ut nga viti 2008 deri në vitin 2021. Ai aktualisht është President i Shoqatës së Evropës Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), e cila është e specializuar në marrëdhëniet e Gjermanisë me rajonin.

Qeveria aktuale gjermane u formua në dhjetor të vitit të kaluar nga Partia Social Demokrate, Partia Demokratike e Lirë dhe të Gjelbërit, të cilat kanë marrë në drejtim Ministrinë e Jashtme gjermane.

Gjermania pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, është shteti i tretë që ka emëruar të dërguar special për Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore