Lajme

Rutte për tensionet në Veri: Të de-eskalohet situata, është e rëndësishme për prosperitetin drejt integrimit në BE


Kryeministri i Holandës Mark Rutte, pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti në Prishtinë ka thënë se është i shqetësuar për ngritjen e tensioneve në Veri.

“Sot e kemi shprehur brengën tonë për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, Holanda dhe Luksemburgu kërkojnë të de-eskalohet situata dhe normalizohen raportet mes dy shteteve”, tha ai.

Prandaj sipas tij, “kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, por edhe për prosperitetin drejt integrimit në BE.

“Isha shumë i lumtur në muajin shkurt kur me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe Francës arritën një marrëveshje bazë Kosova dhe Serbia dhe në Maqedoninë Veriore u vendos për implementimin e kësaj marrëveshje, por që nga atëherë tensionet janë ngritur dhe tani duhet të fokusohemi në çështjen e de-eskalimit”.

“Mendjet e ftohta do të mbizotërojnë dhe këtë e kam parë në Beograd dhe këtu se të gjithë dëshirojnë de-esklaim të situatës dhe është interes i të gjithëve për ta bërë atë”, shtoi ai.

Ndërsa kur është pyetur për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, ai ka theksuar se “nuk e di nëse duhet ta tregojmë gishtin te fajtori, kjo nuk e ndihmon situatën”.

“Dëshmojmë të jemi ndihmues”, shtoi kryeministri holandez.

“Në shkurt kemi pas një marrëveshje dhe të gjitha palët duhet t’i përmbushin obligimet e veta”, ka potencuar ai.

“Sipas Serbisë jo çdo gjë që është zotuar Kosova nuk është implemetuar dhe kundërta. Keni bërë premtime të dyja palët, e di që ka shumë çështje të ndjeshme, por duhet t’i përmbahemi marrëveshjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore