Lajme

Rusia vendos anije me armë bërthamore në Baltik pas 30 vitesh


Rusia ka filluar vendosjen e anijeve taktike me armë bërthamore në Detin Baltik për herë të parë në 30 vitet e fundit.

Lajmi u bë i ditur nga botimi “Politico”, duke cituar raportin vjetor të Shërbimit Informativ Norvegjez.

“Pjesa kryesore e potencialit bërthamor është në nëndetëset dhe anijet sipërfaqësore të Flotës Veriore”, vuri në dukje inteligjenca norvegjeze.

Anijet luftarake të Flotës Veriore shkonin rregullisht në det me armë bërthamore gjatë epokës së Luftës së Ftohtë, por kjo është hera e parë që Federata moderne Ruse bën të njëjtën gjë, shtoi raporti.

Ndërsa Rusia ka gjithashtu nëndetëse, armë anti-satelite dhe aftësi kibernetike që mund të kërcënojnë Norvegjinë dhe aleancën ushtarake të NATO-s, armët bërthamore taktike janë “një kërcënim veçanërisht serioz në disa skenarë operacionalë në të cilët mund të përfshihen vendet e NATO-s”, thuhet në raport.

Inteligjenca norvegjeze gjithashtu vuri në dukje se nuk mund të përjashtohet një përshkallëzim i një lufte të lokalizuar në një konflikt më të gjerë që përfshin Shtetet e Bashkuara, NATO-n dhe Norvegjinë.

Agjencia vlerësoi se ndërsa Rusia do të ruajë, modernizojë dhe zhvillojë arsenalin e saj bërthamor, nuk priten ndryshime të rëndësishme në doktrinën bërthamore ruse në vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore