Kosova

Rusia akuzon NATO-n për armatosjen e Kosovës


Maria Zakharova

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një konferencë për shtyp të enjten, akuzoi aleancën veriatlantike për armatosjen e ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“NATO-ja është duke e furnizuar Kosovën me armë dhe ndihmon në krijimin e ushtrisë së saj, gjë që nuk lejohet nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, pretendoi zëdhënësja ruse, transmetoi rrjeti i lajmeve “The National Indepedent” në platformën “X” të enjten e 13 qershorit.

“Rusia mbështet aktivitetet e misionit të OKB-së në Kosovë dhe avokon për ruajtjen e personelit dhe potencialit financiar të saj. Ne besojmë se vetëm UNMIK-u, dhe jo autoritetet në Prishtinë, kanë të drejtë të përfaqësojnë Kosovën në bazë të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në prag të parakalimit të Forcës së Sigurisë (FSK) për nder të 25-vjetorit të çlirimit, deklaroi se ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe, më e armatosur dhe më e përgatitur sesa sot, derisa përmedi sistemet e reja ushtarake.

Në dispozicion të FSK-së, përveç sistemit të fuqishëm turk Omtas për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, sistemeve ushtarake perëndimore dhe dronëve luftarak Bayraktar, pritet të jetë edhe sistemi amerikan Javelin, i cili shkaktoi sensacion në fushëbetejën e Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore