Shqipëria

Rritet presioni fiskal në Shqipëri teksa rajoni i Ballkanit Perëndimor shkon drejt një tjetër stuhie


Rritja e PBB-së së Shqipërisë pritet të ngadalësohet gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Kështu ka rezultuar nga raporti i fundit i Bankës Botërore, i cili paralajmëron rajonin se do të përballet me “një tjetër stuhi”.

Raporti ka vënë në dukje ndikimin e rritjes së inflacionit në të ardhurat reale të disponueshme të shqiptarëve kombinuar me ngadalësimin e ekonomisë globale që po rezulton në kushte më të shtrënguara financimi dhe kërkesa e huaj më e ulët.

Referuar Bankës Botërore, perspektivat afatmesme të Shqipërisë “varen nga rimëkëmbja globale dhe reformat strukturore dhe nga nisja e konsolidimit fiskal”.

Raporti ka theksuar njëherazi një ngadalësim të rritjes në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas bankës, kanë nevojë për politika për të mbrojtur familjet dhe firmat më të cenueshme pasi rajoni ka vijuar të ndikohet nga lufta në Ukrainë.

Madje ka vënë në dukje presionet fiskale me të cilat përballet rajoni, ku deficiti mesatar fiskal në vitin 2022 pritet të rritet me 0.4 pikë përqindjeje ndaj PBB-së krahasuar me vitin e kaluar.

Nga raporti, performanca ekonomike e gjashtë vendeve ndikohet nga rritja e mprehtë e çmimeve të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes globale si rezultat i luftës.

Dhe se vrulli i rritjes në gjysmën e parë të 2022, i nxitur nga konsumi dhe investimet private, ka filluar të ngadalësohet për shkak të sfidave në rritje.

“Çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve e kanë shtyrë inflacionin në nivele të papara për shumë vite, duke gërryer fuqinë blerëse dhe besimin e biznesit. Tregu i punës ka filluar të ftohet, me punësimin e ngadalësuar mes inflacionit të lartë dhe rritjes së pasigurisë”, sipas Bankës Botërore.

Po ashtu ka paralajmëruar se rritja e inflacionit paraqet rreziqe për uljen e varfërisë në vijimësi.

“Në mungesë të mbështetjes së qeverisë, ashpërsia e goditjeve të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të rezultojë në një rritje prej 13 për qind të numrit të të varfërve në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në raport.

Xiaoqing Yu, drejtori i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ka vënë në dukje se qeveritë e gjashtë vendeve po marrin masa për të frenuar inflacionin në rritje dhe krizën energjetike.

Megjithatë, ai ka ravijëzuar se është thelbësore që masa të tilla të zbusin ndikimet e këtyre krizave në pjesën më të madhe të familjeve dhe firmave të cenueshme.

Sugjerimi i tij është që reformat duhet të përfshijnë masa për rritjen e nivelit të konkurrencës në treg, heqjen e barrierave të hyrjes për biznesin, rritjen e mbajtjes dhe riinvestimit midis investitorëve të huaj, si dhe zvogëlimin e barrierave për pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore.

Po ashtu përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ngritjen e standardeve të qeverisjes, duke përfshirë digjitalizimin.

Nga ana tjetër, kriza e vazhdueshme ka nxjerrë në pah nevojën për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në rajon.

Massimiliano Paolucci, menaxheri i Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, ka thënë se mbështetja e politikave të qeverisë për shtresat energjetike të cenueshme është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

Mirëpo, masat duhet të synohen dhe të jenë me kufizime kohore për të minimizuar rreziqet fiskale.

“Në të njëjtën kohë, fokusi duhet të vazhdojë të jetë gjithashtu në reformat strukturore të vonuara për të nxitur rritjen dhe për të krijuar vende të reja pune”, ka shtuar Paolucci.

Kurse menaxheri për Serbinë, Nicola Pontara, ka treguar se teksa parashikimet e rritjes për Serbinë në vitin 2022 dhe në afatmesëm mbeten të pandryshuara, rreziqet për këtë perspektivë janë anuar në kahun poshtë.

“Importet e kushtueshme të energjisë kanë çuar në një përkeqësim të ndjeshëm të deficitit, i cili mund të zgjerohet deri në dhjetë për qind të PBB-së në vitin 2022, ndërsa inflacioni mbetet i lartë”, ka thënë Pontara.

Sakaq, në Bosnje dhe Hercegovinë rritja ekonomike pritet të ndikohet fuqishëm nga pasojat ekonomike të luftës ruse në Ukrainë në afat të mesëm.

“Ky kombinim i goditjeve po ndikon në perspektivën e rajonit. Lidhja e ngushtë me rajonin dhe kushtet më të shtrënguara të financimit global, si dhe ngadalësimi i pritshëm i kërkesës së brendshme dhe të jashtme, do të ndikojë gjithashtu në perspektivë”, ka thënë Christopher Sheldon, menaxher i bankës për Bosnjën dhe Malin e Zi.

Ekonomia e Malit të Zi është gjithashtu e prekur nga perspektiva e pafavorshme globale.

“Me hapësirën e kufizuar fiskale, borxhin publik të ngritur dhe kostot e rritura të financimit, menaxhimi i kujdesshëm fiskal po bëhet një imperativ për Malin e Zi. Në të njëjtën kohë, fokusi duhet të kthehet te reformat strukturore për të nxitur rritjen dhe për të krijuar vende të reja pune”, ka theksuar Sheldon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore