Shqipëria

Rriten infektimet me COVID-19 në Shqipëri, 99 raste të reja


Gjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë humbje jete nga coronavirus-i dhe kanë rezultuar pozitiv 99 persona.

Gjatë kësaj dite vërehet një rritje rekord e rasteve të reja të infektimit me COVID-19, që prej dy muajsh.

Pozitivë kanë rezultuar 26 raste në Tiranë, 12 raste në Elbasan, 8 raste Vau i Dejës, 7 raste në Shkodër, Kuçovë, 5 raste në Vlorë, 4 raste në Durrës, Berat, Kamëz, Malësi e Madhe, 3 raste në Krujë, 2 raste në Fier, Kavaj, Lushnje, Dimal, Sarandë, 1 rast në Korçë, Lezhë, Librazhd, Konispol, Gjirokastër.

Gjithashtu është rritur numri i pacientëve që marrim trajtim spitalor. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 23 pacientë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 23 pacientë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130 mijë e 314 që nga fillimi i epidemisë.

Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, kanë humbur jetën 2 mijë e 457 qytetarë. Janë kryer 914 mijë e 746 testime totale dhe 4 mijë e 471 testime ditore.

Aktualisht janë  539 raste aktive me Covid-19 në të gjithë vendin.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën apel qytetarëve të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19, në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi kudo në vend.

Apeli i MSHMS-së vjen si pasojë e identifikimit të variantit Delta në Shqipëri, i cili është më ngjitës dhe më lehtë i transmetueshëm.

Fushata e vaksinimit 

Që prej datës 1 gusht do të jetë një muaj i hapur i vaksinimit masiv.

Kjo nismë i parapriu ajo e datës 19-25 korrik, që ishte një javë e hapur e vaksinimit masiv për çdo qytetar +18 vjeç.

E gjitha kjo ka ardhur në kuadër të fushatës “Shqipëria Buzëqesh”.

Deri më tani, Shqipëria ka vaksinuar mbi 1 milionë e 198 mijë qytetarë.

Nga ana tjetër, mbi 500 mijë të tjerë kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.

Shqipëria administron mbi 1 milionë e 700 mijë vaksina. Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore