Lajme

Rrëzohet aeroplani në Rusi, dyshohet për 16 të vdekur


Pamje nga aksidenti në Tatarstan të Rusisë

Një aeroplan, i cili po barte parashutistë, është rrëzuar në zonën e Republikës së Tatarstanit në Rusi, ndërsa dyshohet se nga ky aksident kanë mbetur të vdekur 16 persona dhe shtatë të tjerë kanë përfunduar të plagosur.

Lokacioni i Tatarstanit në Rusi.

Sipas Ministrisë ruse të Emergjencave, aeroplani ishte i tipit “L-410” dhe po barte 23 persona, ndërsa përplasja kishte ndodhur rreth orës 9:22 sipas kohës lokale dhe vetëm shtatë persona nga bordi janë shpëtuar deri më tani.

Nga shtatë të lënduarit, një prej tyre është raportuar të jetë në gjendje kritike, ndërkohë që nga pamjet e publikuara në rrjet mund të vihet re aeroplani i ndarë në gjysmë.

Standardet ruse të sigurisë së aviacionit janë përmirësuar vitet e fundit, por aksidentet, veçanërisht duke përfshirë avionët e vjetruar në rajonet e largëta, nuk janë të rralla.

Edhe një aeroplan tjetër me sistem të vjetruar – “Antonov An-26”,  u rrëzua në lindjen ruse muajin e kaluar, nga ku mbetën të vdekur gjashtë persona.

Ndërkaq, në muajin korrik, si pasojë e një komplikimi të një aeroplanit po ashtu të tipit “Antonov An-26”, i cili më pas ishte rrëzuar në tokë, saktësisht në Kamchatka të Rusisë, kishte humbur jetën një ekuipazh i tërë prej 28 personave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore