Aplikacione

Robert F. Kennedy Jr, pa Instagram


Media sociale, Instagram, ka hequr llogarinë e aktivistit Robert F. Kennedy Jr. lidhur me deklarimet e tij kundër vaksinimit..

“Ne e hoqëm këtë llogari për ndarjen e përsëritur të pretendimeve në lidhje me coronavirus-in dhe vaksinat kundër virusit”, ka thënë një zëdhënës i Facebook-ut, medias që ka në zotërim Instagram-in.

Agjensia e lajmeve, CNN, bën me dije se Kennedy ka folur vazhdimisht kundër vaksinave dhe ka lobuar në Kongres për t’u ofruar prindërve përjashtime nga kërkesat e shtetit që mandatojnë ata për të vaksinuar fëmijët e tyre.

Mirëpo, Kennedy është përpjekur ta minimizojë pikëpamjen e tij kundër vaksinës duke thënë se në të vërtetë ai është në favor të vaksinave të sigurta. CNN shkruan se për ta arritur këtë përpjekje, Kennedy ka nënvizuar edhe faktin se të gjithë fëmijët e tij janë të vaksinuar.

Nga ana tjetër. Shoqata jofitimprurëse e Kennedy-t, Mbrojtja Shëndetësore e Fëmijëve, e cila shprehet skeptike për përfitimet shëndetësore të vaksinave, ka thënë se nuk mund të komentonte menjëherë lidhur me veprimin e ndërmarrë nga Instagram-i.

Sipas CNN, Facebook-u ka ndërmarrë për vite me radhë politika që kërkojnë të ulin dezinformimin e përdoruesëve të platformës për vaksinimin.

Kompania ka njoftuar disa mënyra nëpërmjet të cilave planifikon të luftojë dezinformimin lidhur me vaksinimin. Një prej tyre është vështirësimi i gjetjes nga kërkimi në internet i llogarive në Instagram që dekurajojnë njerëzit të vaksinohen.

Kennedy është djjali i ish prokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, senatorit amerikan dhe ish kandidatit presidencial, Robert F. Kennedy.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore