Shqipëria

Rilindja e PD-së kalon nga gratë


Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar, ku si rend dite ishin disa pika në fokus. Në fund të mbledhjes u miratuan gjithë sekretarët.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e PD-së u shpreh se ka më shumë gra dhe të rinj në Këshillin Kombëtar.

“Si fillim dua t’u uroj mirëseardhjen anëtarëve për herë të parë në Këshillin Kombëtar, që këtë vit është pasuruar me më shumë të rinj dhe të reja, me më shumë zonja dhe zonjusha. Beteja të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve, e të tjera kemi përpara, pasi ajo që ishte e vërtetë para 25 prillit është e vërtetë edhe sot”.

Ai theksoi se masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve.

“Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë të më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që shkaktoi varfërimin dhe largimin e më të paktën 500 mijë shqiptarëve”.

Sipas Bashës, “detyra e secilit prej nesh është të bëhemi zëri i qytetarëve, duke mos harruar për asnjë çast të vetëm se kush jemi dhe çfarë përfaqëson Partia Demokratike”.

“Mos harroni se edhe kur kishim kundër nesh të gjithë shtetin, oligarkët, krimin e organizuar, ne, të gjithë bashkë arritëm t’u japim shqiptarëve shpresë. Mos lejoni që jermi antiopozitar, që ka për qëllim goditjen e Partisë Demokratike si të vetmen shpresë për njerëzit e këtij vendi, të jetë më i fortë se bindja e secilit prej nesh se modeli që kemi zgjedhor”.

Basha në fjalën e tij shtoi gjithashtu se reformimi i PD-së në funksion suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuar dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me pa durim.

“Më 25 prill, shqiptarët na besuan dhe na dhanë forcë. Po ashtu demokratët, që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Ne kemi detyrën që këtë vullnet të shqiptarëve dhe të demokratëve ta kthejmë në aksion politik”.

Kryedemokrati tha se “në kushtet e kapjes gati totale të mediave, propaganda e kthen çdo gjë që është e lavdërueshme mes nesh, nga kërkesat për përsosje të mëtejshme te kritikat konstruktive, në një vorbull marramendëse, që na shtyn larg interesit publik, duke na portretizuar në mënyrë të gënjeshtërt si të dobët apo në krizë”.

“Ndryshimet Kushtetuese të 2008 nuk i përshtaten nevojës ulëritëse të shoqërisë për demokraci. Platforma jonë do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë”.

Sipas Bashës, ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten nevojës të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve.

“PD u ndërtua nga guximtarë, nga njerëz që nxitën ëndrrën për një Shqipëri europiane, që kishin këmbëngulejn e palëkundur për të çuar përpara vlerat te të cilat të gjithë besojmë dhe janë ende busulla e një kombi që kërkon liri dhe demokraci”.

Burime për Albanian Post pranë Partisë Demokratike (PD) kanë bërë me dije se, në fletën e votimit për anëtarët e kryesisë së PD-së që do të votohen nga Këshilli Kombëtar, është hequr emri i kreut të kësaj partie në Durrës, Ferdinand Xhaferaj.

Që një natë më parë, ai ka lajmëruar se nuk ka ndër mend që të garojë, duke u tërhequr nga procesi.

Ndërkaq ka dalë edhe fleta e votimit për anëtarët e kryesisë së PD-së.

Konstituimi i Këshillit të ri Kombëtar dhe zgjedhja e kryetarit të Këshillit Kombëtar ishte pika e parë që u trajtua.

Gjithashtu, zgjedhja e Kryesisë dhe Sekretariatit të Partisë, e Kryetarit të Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës e Komisionit Zgjedhor dhe të Bordit Financiar të Partisë ishte pjesë e planit ditor.

Pjesë e diskutimit të Këshillit ishte njoftimi i Përbërjes së Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së dhe caktimi i drejtuesve të Departamenteve të Këshillit Kombëtar.

Në mbajtjen e Këshillit të fundit, më 18 korrik, u zgjodhën emrat e 300 anëtarëve të rinj.

“Keni besimin e demokratëve dhe përgjegjësinë për të luftuar çdo ditë pranë qytetarëve, për shqetësimet e vogla dhe të mëdha të familjeve shqiptare”.

Kështu u është drejtuar kreu i PD-së, Lulzim Basha, anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, të dielën e 18 korrikut përmes një postimi në median sociale Facebook.

Ndër të tjera, Basha ka shprehur mirënjohje për delegatët që në Kuvendin Kombëtar “përfaqësuan demokratët” anembanë Shqipërisë.

Duke iu uruar suksese anëtarëve të rinj, të përzgjedhur për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar për katër vitet në vazhdim, Basha tha se ky Këshill “do të jetë një urë bashkëpunimi me shoqërinë, për të ndërtuar së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë”.

“Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu”, shkruan Basha.

Partia Demokratike (PD), të dielën e 18 korrikut, ka publikuar rezultatin e votimit për anëtar fitues të Këshillit Kombëtar.

Më shumë pushtet për gratë brenda PD-së

Lulzim Basha u jep më shumë pushtet grave në Partinë Demokratike, të cilat do të drejtojnë poste kyçe dhe sekretariate të rëndësishme.

Për herë të parë, Partia Demokratike do të ketë dy gra nënkryetare: Jorida Tabaku, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe Grida Duma, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me shoqërinë civile.

Ndërkohë, ish-drejtori i Fushatës tashmë deputet i Tiranës, juristi Alfred Rushaj, do të jetë nënkryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar, ndërsa drejtuesi politik i Qarkut të Fierit dhe një politikan me përvojë Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit, dhe njëkohësisht nënkryetar i PD-së.

Rikonfirmohet në detyrë sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, me një kontribut të rëndësishëm edhe në fushatën zgjedhore të 25 prillit si drejtues politik në një qark të vështirë si ai i Elbasanit.

Edi Paloka do të propozohet për kryetar të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Burimet brenda selisë blu bëjnë me dije se Edmond Spaho, ish-nënkryetari i PD-së ka kërkuar të mbajë vetëm detyrën e deputetit.

Deputetja e zgjedhur, shkrimtarja e botuesja, Flutura Açka, është nominuar për një post të rëndësishëm, atë të kryetares së Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës.

Jemin Gjana është nominuar si kryetar i Komisionit Zgjedhor.

Për dy çështje parësore për Partinë Demokratike, ato të pronave dhe të përndjekurve, Lulzim Basha ka vendosur të ketë sekretariate të dedikuara, të cilat po kështu u janë besuar grave.

Për sekretare për Pronarët dhe cështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian, e cila vjen nga një përvojë e pasur juridike me një fokus të vecantë në këtë fushë.

Ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë, fushë në të cilën ka një kontribut të madh prej shumë vitesh.

Ekonomia, klima e investimeve dhe marrëdhënia me biznesin mbetet prioriteti kryesor i Partisë Demokratike.

Për të qenë sa më pranë biznesit dhe shqetësimeve të tij, Basha ka krijuar Sekretariatin për Klimën e Biznesit për të cilin është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qakut Kukës dhe sipërmarrësit Flamur Hoxha.

Garantimi i votës së emigrantëve do të jetë prioritet i PD-së. Prandaj në funksion të thithjes së ekspertizës, përvojës, mendimit, krijimit të mundësive për të kontribuar për një Shqipëri më të mirë, emigrantët dhe diaspora do të kenë një sekretariat të dedikuar. Ky sekretariat që mishëron prioritetin e Bashës për emigrantët dhe diasporën dhe që krijohet për herë të parë është propozuar të drejtohet nga Belind Kelliçi.

Oriela Nebiaj, që kontributin e saj të parë në PD e ka dhënë si zëdhënëse, për të vijuar si kandidate për kryesimin e FRPD-së dhe së fundmi me rikthimin si kandidate për deputete në Tiranë, do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere.

Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli.

Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që

Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso.

Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.

Studiuesja dhe pedagogia Enriketa Papa – Pandelejmoni është emëruar nga kreu i PD për pozicionin e kryetares së Fondacionit për Liri dhe Demokraci.

Ndërkohë është zbardhur edhe ndarja e përgjegjësive ne Grupin e ri Parlamentar. Grupi që do të drejtohet nga nënkryetari i Partisë Alfred Rushaj do të ketë dy Nënkryetarë: Ervin Salianjin dhe Luçiano Boçin. Detyra e Zëdhënësit të Grupit i është besuar Orjola Pampurit, ndërkohë që ajo e Sekretarit të Grupit Parlamnetar, deputetit të ri të Vlorës Arbi Agalliu.

Deputetët janë ndarë në 8 komisone ku drejtimi nga ana e PD i është besuar:

Komisioni për Integrimin Europian: Jorida Tabaku

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Agron Gjekmarkaj

Komisioni për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Albana Vokshi

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: Oerd Bylykbashi

Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Sorina Koti

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin: Helidon Bushati

Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Flamur Noka

Komisioni për Politikën e Jashtme: Tomorr Alizoti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore