Kosova

Në Gjakovë nuk e duan rikthimin e serbëve pa u zbardhur fati i të zhdukurve shqiptarë


Komuna e Gjakovës

Plot 11 organizata joqeveritare të Komunës së Gjakovës kanë thënë se të hënën do ti dërgojnë Qeverisë së Kosovës një peticion për largimin shtetases serbe Dragica Gashiç, që është kthyer për të jetuar në Gjakovë. Këto organizata janë shprehur se Gjakova nuk është ende e gatshme të pranojë rikthimin e serbëve kur ende nuk janë kthyer eshtrat e më të dashurve të tyre.

Ndërkaq Shoqata e Familjarëve të Zhdukurve në luftë “Thirrjet e Nënave”, e ka cilësuar si të turpshme këtë veprim nga ana e Komunës së Gjakovës.

Partia politike Alternativa e deputetes Mimoza Kusari Lilas, dega në Gjakovë, në një shkrim në faqen e tyre zyrtare në Facebook kanë akuzuar Komunën e Gjakovës për kthimin e serbes, dhe për mungesë të transparencës.

“Alternativa dega në Gjakovë, me shqetësim të madh ka përcjellur zhvillimet e fundit të cilat lidhen me rastin e kthimit të shtetases serbe në Komunën e Gjakovës që nga 09.06.2021”.

“Ende më shqetësuese është angazhimi i komunës së Gjakovës në përgatitjen e banesës, pronë të cilën e posedon komuna, pa asnjë konsultim paraprak me organet e rendit dhe ato të intelegjencës si dhe heshtja e komunës dhe kryetarit të saj në marrjen e përgjegjësisë, tashmë kur situata ka krijuar pakënaqësi në masë”.

Ndërkohë udhëheqësi i Zyrës për Koordinim të të Drejtave dhe Integrim të Komuniteteve në Gjakovë, Armend Behluli, në një përgjigje në shkrimin e Alternativës së Gjakovës, në Facebook, të cilët e kanë inkuadruar në pyetjen për llogaridhënie të kthimit të shtetases serbe, u është përgjigjur se

“Sa i përket kthimit të një personi nga komuniteti serb të gjitha informatat që i keni postuar janë të pasakta sepse personi nuk është kthyer përmes Komunës. Personit në fjalë i është liruar banesa nga KPA -ja, dhe e ka vendos në banesë. Kështu që askush nga komuna nuk ka gisht sa i përket kthimit. Ndërsa, komisioni komunal për kthim nuk ka aprovuar asnjë kërkesë për renovim, përkundrazi e ka refuzuar në mungesë të fakteve qe lidhen me pronësinë e banesës”.

Tutje Behluli në përgjigje ne tij ndaj Alternativës u ka bërë thirrje mos të politizohet ky rast ngase është çështje sensitive, dhe mos të postohen shkrime të tilla para se të bëhet një hulumtim paraprak.

Albanian Post është munduar të kontaktojë kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardin Gjinin, për të marrë përgjigjen e tij në rastin në fjalë, por ky i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në Gjakovë gjatë luftës së fundit në Kosovë, kanë mbetur të vrarë 1.022 civilë shqiptarë.

Më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare lloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore