Kosova

Retorika nxitëse e Vuçiç-it dhe Dodik-ut, analisti kroat: Perëndimi të tregojë vendosmëri – reaguan me vonesë edhe ndaj Millosheviç-it


Denis Avdagiç

Analisti i çështjeve politike dhe të sigurisë, Denis Avdagiç, në një prononcim për rrjetin ballkanik të lajmeve N1, duke komentuar retorikën nacionaliste të zyrtarëve serbë, si dhe ndikimin rus në rajon, tha se Perëndimi duhet të intervenojë për ta parandaluar një politikë të tillë që çoi Ballkanin në luftë para 35 viteve.

“Perëndimi ka një borxh ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët u ndihmuan vonë kur filloi murtaja e luftës së (Slobodan) Millosheviç-it. Nëse më parë reaguan vonë, tani është koha e vendosmërisë, e cila do t’i mundësojë edhe kësaj pjese të Evropës të depërtojë dhe të merret me problemet reale të qytetarëve”, tha ai.

Ai theksoi se si lideri i serbëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ashtu edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë politikanë të vetëdijshëm se janë të rrethuar nga vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe kjo u jep atyre një situatë komode në të cilën retorika nxitëse nuk realizohet, por mund të “ngarkohet mirë dhe në mënyrë të rastësishme”.

“Unë kam kohë që ndjek rrugën politike dhe retorikën e Dodik-ut dhe Vuçiç-it, ata nuk janë kamikazë, janë politikanë me përvojë dhe atë që bëjnë, e bëjnë sepse njohin të ashtuquajturën vijë të kuqe imagjinare. Ata do të donin të shkonin një hap më tej, mbi atë vijë të kuqe, që do të thosha se nuk do të ndodhë, nuk ka asnjë tregues për këtë”.

Megjithatë, Avdagiç shtoi se retorika nxitëse është një lloj “shlyerje borxhi” ndaj palës ruse për mbështetjen e vazhdueshme dhe marrëdhëniet e mira mes Vladimir Putin-in, Vuçiç-it e Dodik-ut.

“Nuk e shoh se si gjërat do të ktheheshin vërtet në atë që pamë në vitet ’90; nuk ka kapacitet për të nisur luftë. Ky lloj tensioni nuk është i mirë, në aspektin njerëzor është si të jetosh nën frikë dhe stres të vazhdueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore