Lajme

REL: Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës mund të shtyhet për të paktën një vit


Ilustrim

Në bazë të një artikulli të Radios Evropa e Lirë (REL) mbi procesin të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, jepen disa arsye pse demokracia e fundit evropiane mund t’i bashkohet së shpejti organit që promovon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, ndonëse eksistojnë edhe arsye pse vendimi final për Kosovën mund të shtyhet për të paktën një vit.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës më 16 prill. Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të 46 shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës të organizatës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.

Megjithatë, duke qenë se votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është vetëm këshillues dhe jo i detyrueshëm, lëvizjet reale politike do të nisin në prag të takimit të ministrave të jashtëm muajin e ardhshëm, vëren rrjeti evropian i lajmeve. E një prej skenarëve mund të jetë që në maj të mos merret fare vendim përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës.

“Një skenar mund të jetë që në maj të mos merret fare vendimi përfundimtar. QUINT-i – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshiron të shohë një draft-statut të mirëfilltë të paraqitur nga Kosova për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe përpara se vendet të bien dakord për këtë pikë”, nëvizon REL-i në artikullin e fundit.

Në artikullin e REL-it vlerësohet se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës kushtëzohet nga themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, derisa QUINT-i e sheh në këtë “mundësinë e fundit” për t’i bërë presion kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të pajtohet për këtë çështje, duke qenë se Kosova mbetet larg nga Bashkimin Evropian (BE).

“Duke qenë se anëtarësimi në BE mbetet ende vetëm një ëndërr, anëtarësimi në Këshillin e Evropës është karota e fundit perëndimore që ofrohet për Prishtinën. Por edhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës mund të jetë një hap shumë larg për Kosovën – dhe jo vetëm për arsye politike”, nëvizon REL-i.

“Pra, ndërsa Kosova mund të nxitet nga një votim në Asamblenë Parlamentare këtë javë, një vendim përfundimtar nga 46 ministrat e jashtëm mund të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë. Përveç nëse, domethënë, ka më shumë progres në javët në vijim”, u tha në artikull.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Kjo çështje mori epilog kur Qeveria e Kosovës vendosi në mars t’ia dorëzojë pronësinë e 24 hektarëve tokë Kishës Ortodokse Serbe (KOS). Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor që manastirit t’i jepej toka në vitin 2016, por qeveritë e njëpasnjëshme kosovare refuzuan ta zbatonin vendimin e gjykatës. Por konsiderohet se Kosova ka ende çështje për të adresuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore