Kosova

Rekord i ri në Guiness nga Arbnore Fejza-Idrizi


Artistja Arbnore Fejza-Idrizi, ka arritur ta realizojë mozaikun më të madh me origami në botë, me të cilin ka thyer rekord të ri në librin e rekordeve Guiness.

“Pasi kam realizuar dy rekorde te Guiness, atëherë dëshira ime ka qenë që të realizoj diçka edhe më gjigante, prandaj vendosa ta realizoj një projekt të jashtëzakonshëm, flamurin e Kosovës”, thotë ajo.

Në një prononcim për Albanian Post, Fejza-Idrizi, ka treguar për mënyrën e realizimit të këtij punimi.

Ajo tregoi se i janë dashur katër muaj punë për t’i formuar copat ndërsa për një ditë, në datën 6 shkurtit e ka kompletuar gjithë mozaikun.

“Kemi bërë katër muaj nga katër orë punë në ditë për formimin e copave të artit origami. Është dashur të punohet me 15 teknika të këtij arti dhe i kemi punuar 127 mijë e 400 copa të letrës”, thotë ajo.

Ideja për këtë punim, flamuri i të cilës përfshinë një mijë e 216 metra katrorë, Arbnores i erdhi qysh në vitin 2019 mirëpo për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia, ajo bashkë me ekipin e saj vendosi ta realizojë këtë projekt për nder të festës së pavarësisë së Kosovës.

“Kemi pasur përkrahje nga komuna e Skenderajt, po ashtu nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, domethënë këtë herë kemi pasur përkrahje më të madhe”, tha ajo.

Tutje, Fejza-Idrizi thotë se të enjten në mbrëmje i është kumtuar lajmi nga Rekordi Botëror se i është pranuar ky punim, dhe për të “ishte një ndjenjë e veçantë” për arsye se ka qenë një projekt i realizuar për festën e Kosovës.

“Këtë projekt kam dashur t’ia bëjë dhuratë shtetit tonë dhe me këtë simbol të përfaqësohemi në botë dhe të depërtojmë në librin e rekordeve”, shtoi ajo.

Artistja shqiptare ka treguar disa detaje lidhur me aprovimin e punimit. Ajo thotë se Guiness kërkon që të gjitha gjërat të dokumentohen dhe të xhirohen, prandaj i është dashur që gjithë procesin e punës ta dokumentojë me video-incizime.

“Vështirësia më e madhe ka qenë mos-grumbullimi i një numri të madh të nxënësve për formimin e copave, prandaj më është dashur t’i angazhojë familjarët”.

“Sfida tjetër ka qenë kur kemi filluar ta zhvillojmë projektin, sepse e gjithë radhitja është dashur të jetë me një precizitet të lartë, një renditje e numëruar për arsye se qoftë se vetëm një pjesë devijon atëherë komplet flamuri devijonte”, thotë ajo.

Në fund tregoi edhe për synimet e saj të tjera mirëpo meqë kjo punë kërkon kosto të lartë thotë se e ka të vështirë ta përballojë prandaj, “po pres një përkrahje më të madhe dhe shpresoj që vendit tim t’i sjelli akoma më shumë rekorde”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore