Lajme

Refuzohet si e paafatshme ankesa e UP-së në kthimin e pronës ku gjendet Kisha Ortodokse Serbe


Objekti i Kishës Ortodoke në kampusin e Universitetit të Prishtinës, Hasan Prishtina

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar ankesën e paditësit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), si të paaftshme në rastin ku e njëjta ka paditur Kishën Ortodokse Serbe, për kthimin në shfrytëzim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha.

Më 24 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim e ka refuzuar ankesën e UP-së, e cila e kishte bërë ndaj aktvendimit të 26 gushtit 2021, me të cilën kjo gjykatë e ka hedhur poshtë padinë e UP-së ndaj Komunës së Prishtinës me arsyetimin se kësaj komune i mungon legjitimiteti pasiv në këtë kontest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se në seancën e mbajtur më 24 nëntor 2021, pala paditëse nëpërmjet Avokatit të Shtetit ka bërë ankesë ndaj aktvendimit me të cilin gjykata e kishte hedhë poshtë padinë ndaj Komunës së Prishtinës.

Më tutje, në arsyetimin e këtij aktvendimi thuhet se me shikimin e shkresave të lëndës, gjykata ka konstatuar se aktvendimin e 26 gushtit 2021, Avokati i Shtetit e kishte pranuar më 15 shtator 2021 dhe këtë ankesë thuhet se e kishte paraqitur në seancën e mbajtur më 24 nëntor 2021.

Po ashtu, në arsyetim thuhet se është i pakontestueshëm fakti se Avokati i Shtetit e kishte regjistruar këtë ankesë në protokollin e mbajtjes së shënimeve më 29 shtator 2021, mirëpo e njëjta thuhet se nuk ka prova se këtë ankesë e ka dorëzuar në gjykatë para seancës përgatitore të mbajtur më 24 nëntor 2021.

Andaj, mbi këtë bazë gjykata ankesën e palës paditëse kundër aktvendimit të 26 gushtit 2021 e ka konstatuar si të paafatshme.

Kundër këtij aktgjykimi është lejuar ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes kësaj gjykate në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe lidhur me këtë rast, më 24 nëntor 2021 është mbajtur seanca përgatitore ku ishte ishte ndërprerë procedura nga gjykatësi Jovica Mitrovic, për shkak se sipas tij ASH-ja nuk mundet ta përfaqësojë UP-në si dhe derisa të vendoset lidhur me ankesën e së njëjtës për të cilën ai tha se ende nuk e kishte pranuar.

Objekti i Kishës Ortodoke në kampusin e Universitetit të Prishtinës, Hasan Prishtina

E paditur në këtë rast ka qenë edhe Komuna e Prishtinës, por ndaj të njëjtës gjykata e ka hedhur padinë, me arsyetimin se kësaj komune i mungon legjitimiteti pasiv në këtë kontest, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Padia në këtë rast është ushtruar më 29 nëntor 2015. Sipas padisë, Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” në Prishtinë, që prej 12 dhjetorit 1975, e ka në shfrytëzim patundshmërinë në sipërfaqe prej 4.27.16 ha në Prishtinë, e cila gjatë gjithë kësaj kohe thuhet se është shfrytëzuar në mënyrë të papenguar, pasi që e njëjta ka qenë pjesë përbërëse e Kampusit Universitar sipas planit detal urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë.

Në padi thuhet se Komuna e Prishtinës, në kundërshtim me planin urbanistik, pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme ia ka dhënë në shfrytëzim tani të paditurës së vetme, Kishës Ortodokse Serbe “Xh.Sh.Nikolla, Xh.Serpska” në Prishtinë, e cila thuhet se duke e uzurpuar tani pjesën kontestuese në mënyrë të kundërligjshme e ka ndërtuar Kishën Ortodokse “Sveti Sava”, në sipërfaqe prej 0.54.12 ha, me oborr në sipërfaqe prej 3.73.04 ha.

Tutje, në padi thuhet se bazuar në këto fakte tani paditësi sipas ligjit në fuqi, si bartës i së drejtës së shfrytëzimit të patundshmërisë, e ka të drejtën e kërkesës për kthimin e tani patundshmërisë kontestuese, pasi që e njëjta thuhet se e ka pasur në shfrytëzim dhe posedim në mënyrë të ligjshme këtë pronë.

Po ashtu, në padi thuhet se sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, parashihet se për të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë

Tutje në padi thuhet se këto veprime janë të kundërligjshme pasi që të njëjtat janë marrë nën masat e dhunshme nga autoriteti i dhunshëm ish-Këshilli Ekzekutiv Komunal, andaj sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.1999/24, të gjitha ligjet vendimet administrative dhe vendimet gjyqësore të nxjerra pas datës 22 mars 1989, që janë të natyrës diskriminuese nuk mund të zbatohen në Kosovë.

Me anë të kësaj padie, UP-ja po kërkon nga gjykata që të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e tij, të vërtetohet se i njëjti ka të drejtën e shfrytëzimit të patundshmërisë në sipërfaqen e përgjithshme prej 4.27.16 ha, në Prishtinë. Kërkon që prona t’i kthehet në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar, si dhe t’i kompensohen shpenzimet e procedurës.

Refuzimi i ankesës së UP-së, Istrefi thotë se do të ankohen në Apel dhe do ta njoftojnë KGJK-në

Avokat i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi

Lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është refuzuar si e paafatshme ankesa e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), në rastin ku e njëjta ka paditur Kishën Ortodokse Serbe, për kthimin në shfrytëzim të pronës në kampus, ku dhe gjendet kisha, avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi tha se do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit dhe do ta njoftojnë Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), me qëllim të mbrojtjes së imazhit të gjykatës.

Istrefi ka njoftuar se këtë vendim e kanë pranuar më 15 dhjetor 2021 dhe ndaj të njëjtit do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit në afat ligjor.

Përveç ankesës në Apel, ai ka thënë se do të njoftojnë edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), me qëllim të mbrojtjes së imazhit të gjykatës, pasi që sipas tij një vendim i tillë është me shkelje procedurale.

“Avokatura Shtetërore përveç që do të ushtroj Ankesë në Gjykatën e Apelit, e njëjta do të njoftojë edhe Këshillin Gjyqësorë, me qëllim të mbrojtjes së imazhit të Gjykatës, pasi që një vendim i tillë me këto shkelje procedurale do të ishte një imazh jashtëzakonisht i pa dëshirueshëm për Gjykatën” ka thënë Istrefi për “Betimi për Drejtësi”.

Në përgjigjen e tij thuhet se që nga marrja e kësaj lënde në përfaqësim çdo seancë gjyqësore sipas tij është mbajtur me shkelje esenciale të procedurës kontestimore, duke shtuar se gjykatësi i rastit Jovcia Mitrovic çdo herë kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësit, Ligjin për Avokaturën Shtetërore si dhe Ligjin për Procedurën Kontestimore (LPK).

Më tutje, ai ka njoftuar se ky gjykatës nuk e kishte marrë parasysh kërkesën e Avokaturës Shtetërore për pezullimin e procedurës.

I njëjti thuhet se ka kontestuar autorizimin ligjor të Avokatit të Shtetit për përfaqësim të UP-së.

Po ashtu ai ka njoftuar se i njëjti gjykatës pa e shqyrtuar fare kërkesën për pezullim, ka marrë aktvendim, me të cilin e ka hedhë padinë ndaj Komunës së Prishtinës. Ndaj këtij vendimi thuhet se kishin bërë ankesë dhe pa u shqyrtuar e njëjta ishin ftuar për seancë, e kjo sipas tij është në kundërshtim të plotë me LPK-në.

Avokati Shtetëror Istrefi tutje në përgjigje me shkrim ka thënë se në aktvendimin e pranuar, me të cilin është refuzuar ankesa e tyre, gjykatësi i rastit sipas tij ka shkruar se ankesa është dorëzuar në seancë gjyqësore.

“Avokati i Shtetit për ta njoftuar gjyqtarin se e ka dorëzuar ankesën , ja jep kopjen e ankesës që ta ndaloj në shkelje procedurale të mëtutjeshme, ndërsa më 15 dhjetor 2021, Avokatura Shtetërore pranon Aktvendimin, me të cilin gjykata e hedhë ankesën si të paafatshme ku i njëjti gjyqtarë shkruan se Avokatura Shtetërore ka dorëzuar ankesën në seancë gjyqësore, absurditet ky i paparë deri më tani”, thuhet në përgjigjen e avokatit Istrefi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore