Lajme

Refugjati sirian i dëbuar nga Greqia humbet çështjen kundër Frontex-it


Një refugjat sirian ka humbur një çështje historike kundër Frontex-it, pasi ai dhe familja e tij u dëbuan me forcë nga Greqia përpara se të shqyrtohej kërkesa për azil.

Vendimi shihet si një goditje e madhe ndaj përpjekjeve për t’i bërë operacionet e Frontex-it në Greqi dhe vende të tjera më transparente dhe të përgjegjshme ndaj vendeve anëtare që i përdorin ato.

Burri sirian dhe gruaja e tij bashkë me katër fëmijët e vegjël bënë udhëtimin e rrezikshëm përmes kontrabandistëve ë nga Aleppo e shkatërruar nga lufta në Greqi në vitin 2016.

Mirëpo, 11 ditë pasi arritën ata u dërguan në Turqi nga Frontex-i.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë hodhi poshtë pretendimin e tij, duke vënë në dukje se Frontex-i nuk ishte një agjenci përgjegjëse për proceset e azilit.

“Meqenëse Frontex nuk ka fuqinë për të vlerësuar meritat e vendimeve të kthimit ose aplikimeve për mbrojtje ndërkombëtare, ajo agjenci e BE-së nuk mund të mbahet përgjegjëse për ndonjë dëm që lidhet me kthimin e atyre refugjatëve në Turqi,” vendosi gjykata në Luksemburg.

Në vitin 2016, burri dhe familja e tij me fëmijë të vegjël, nga një deri në shtatë vjeç, mbërritën me varkë në ishullin grek të Milos.

Pasi u transferuan në ishullin Leros, ata shprehën dëshirën për të paraqitur një kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.

Megjithatë, pas një operacioni të përbashkët kthimi të kryer nga Frontex-i dhe Greqia, ata u transferuan në Turqi.

Nga atje, ata shkuan në Irak, ku kanë banuar që atëherë, vuri në dukje gjykata.

Çështja e tij u ngrit nga avokatët e Amsterdamit Prakken d’Oliveira dhe u mbështet nga Këshilli Holandez për Refugjatët, grupi i fushatës BKB, Fondi i Ndihmës Ligjore Sea-Watch dhe Jungle Minds.

Në emër të tij ata kërkuan 96 mijë euro në lidhje me dëmin material dhe 40 mijë euro në lidhje me dëmin jo-material, për shkak të sjelljes së pretenduar të paligjshme të Frontex-it para, gjatë dhe pas operacionit të kthimit.

Atyre iu deshën tre vjet për të marrë provat e dokumentuara të asaj që ndodhi nga Frontex-i.

Gjykata vendosi se detyra e Frontex-it ishte të ofronte vetëm mbështetje teknike dhe operacionale për shtetet anëtare.

“Vetëm shtetet anëtare janë kompetente për të vlerësuar meritat e vendimeve të kthimit dhe për të shqyrtuar kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë.

Në një deklaratë, Prakken d’Oliveira ka thënë se neni 34 i rregullores së Frontex 2016/1624 thoshte se agjencisë i kërkohet të krijojë “një mekanizëm efektiv për të monitoruar respektimin e të drejtave themelore në të gjitha aktivitetet e agjencisë”.

“Vendimi nuk e bën të qartë se çfarë do të thotë kjo në praktikë”, kanë dalluar avokatët.

“Mbetet e paqartë se në çfarë mënyre i kërkohet Frontex-it për të kryer detyrën e tij të monitorimit”.

Sakaq, familja po shqyrton një apel.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore