Lajme

Referendumi serb: Policia arrestoi zyrtarin serb dhe konfiskoi materialet zgjedhore që po futësin në Kosovë


Merdare

Natën e së premtes, rreth orës 22:30, Policia e Kosovës ka arrestuar Marko Jankoviç, që mediat serbe kanë raportuar se është koordinator i Komisionit Zgjedhor në Serbi, dhe po vinte në Kosovë me materiale zgjedhore për referendumin serb që pritet të mbahet me 16 janar, të dielën, dhe që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese atje.

Drejtori i të ashtuquajturës, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se zyrtari i tyre “u arrestua pa asnjë bazë ligjore”, derisa arrestimin e ka quajtur “akt kriminal”.

Jankoviç po udhëtonte me dy kamionë që po bartnin material zgjedhor.

Policia, veç zyrtarit, kanë konfiskuar kamionët derisa kanë arrestuar edhe shoferët e kamionëve.

“Urgjentisht e kam njoftuar përfaqësuesin special të dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, rreth këtij demonstrimi të shpifur të dhunës dhe shkelje të marrëveshjes dhe kam kërkuar lirimin e zyrtarit tonë dhe shoferëve”, ka deklaruar Petkoviç.

“Ky është një skandal i përmasave tejet të mëdha dhe pasojave të mëdha po ashtu”, deklaroi ai.

Kamionët me materialet zgjedhore, siç raportohet nga mediat serbe, po shkonin të takoheshin me përfaqësues të OSBE-së, “ashtu siç ishin marrë vesh paraprakisht”.

“Por, në vend të OSBE-së zyrtarët tanë u takuan me 10 vetura të Policisë së Kosovës”, shtoi Petkoviç.

Petkoviç është shprehur i zhgënjyer edhe me zyrtarët e OSBE-së, të cilët thonë se kanë qenë të informuar qysh nga 22 dhjetori i viti të kaluar, por që “nuk u shfaqën fare në Merdare për të pranuar materialet”.

Petar Petkovic

Pas një kohë të arrestuarit nga policia janë liruar.

Serbia po organizon referendum për ndryshime kushtetuese dhe qëllimi i tyre ishte që përmes OSBE-së të organizonin referendum edhe në territorin e Kosovës, diçka e papranueshme për Qeverinë e Kosovës, e cila e ka kundërshtuar organizimin.

Në kundërshtim të mbajtjes së referendumit në Kosovë, Qeveria e Kosovës dhe institucionet të tjera kanë qenë edhe pas kërkesë së ambasadorëve të QUINT-it që votimi të lejohet.

Është shkelje flagrante e sovranitetit kanë thënë nga qeveria. Këtë të shtunë është thirrur edhe një seancë e jashtëzakonshme nga ana e kryeministrit, Albin Kurti, i cili ka thënë se kërkon nga Kuvendi ta votojë një rezolutë që përmban këtë qëndrim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore