Lajme

Rasti “Veteranët”, anulohet seanca


Me kërkesë të prokurorit special Valdet Gashi, i cili ka kërkuar më shumë kohë për përgatitje të rastit, pasi lënda është kthyer në plotësim në dhjetor sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit, është anuluar seanca e paraparë për të mërkurën në rastin e njohur si “Veteranët”.

Anulimin e kësaj seance, për “Betimi për Drejtësi”, e bëri të ditur gjykatësi i rastit Gazmend Bahtiri.

Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Speciale i kishte propozuar gjykatës, që të lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore