Shqipëria

Raporti i S&P: Ekonomia shqiptare e qëndrueshme


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka njoftuar se Shqipëria është vlerësuar me “B+”, dhe me  perspektivë “të qëndrueshme”, nga Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Standard & Poor’s (S&P).

Sipas ministres agjencia parashikon se rritja reale, pas një rikuperimi solid në vitin 2021 edhe pse do të ngadalësohet në vitin 2022 do të rimëkëmbet në vijim, kryesisht prej investimeve të larta, si dhe një kërkese të brendshme e të huaj më të fortë.

Agjencia vlerëson se, në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit, ekspozimi tregtar dhe financiar i Shqipërisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i papërfillshëm, gjë që kufizon ndikimin e konfliktit në ekonomi.

Kujtojmë  që edhe në vlerësimin për muajin janar, Standard & Poor’s I dha po të njëjtin vlerësim ekonomisë shqiptare, “B+”  me perspektivë “të qëndrueshme”.

Ministrja, referuar agjencisë pati bërë me dije se presioni i jashtëm do të jetë i menaxhueshëm duke pasur parasysh se rezervat valutore të vendit mbeten të larta dhe borxhi i jashtëm rritet vetëm në mënyrë të moderuar, duke mbështetur edhe stabilitetin e kursit të këmbimit gjatë viteve të ardhshme.

“Megjithëse konsolidimi fiskal ka të ngjarë të ngadalësohet, ne besojmë se deficiti i qeverisë do të ngushtohet në vitet e ardhshme. Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2021 ishte jashtëzakonisht e fortë dhe pret që ritmet reale të rritjes për këtë vit të jenë 8.5-9.0 për qind në terma realë”.

Agjencia konstaton se, krahas përpjekjeve për të forcuar balancën fiskale, autoritetet po vijojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të përmirësuar profilin e borxhit publik.

Raporti i FMN-së

Nga ana tjetër, sipas raportit më i fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi rritjen ekonomike në kushtet e luftës në Ukrainë, Shqipëria përcaktohet si vendi me rritjen më të ulët ekonomike në rajon, të parashikuar për vitin 2022 dhe ndër më të ulëtat sa u përket gjithë vendeve në zhvillim në Evropë.

Parashikimi i mëparshëm për rritje, shkonte në 4.5% për vitin 2022. Mirëpo, në parashikimin e fundit nga FMN, ajo pritet të jetë vetëm 2%.

Të vetmet vende me rritje më të ulët, pritet të jenë ato shumë pranë konfliktit në Ukrainë.

Vetë Ukraina mendohet se do të pësojë një rënie ekonomike prej 35% për shkak të luftës. Rusia agresore, nga ana tjetër, do të ndalet në minus 8.5%.

Në shifra negative radhitet edhe Bjellorusia me minus 6.4%. Teksa, Moldavia mbyll radhitjen e vendeve me rritje më të ulët se Shqipëria, me vetëm 0.3%.

Sa u përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi do të shohë rritjen më të madhe ekonomike, me 3.8%. Në 3.5% rritje ndalet Serbia dhe Maqedonia e Veriut në 3.2%.

Kosova do të shohë rritje me 2.8%, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina me 2.4%.

Pra, ndër vendet e rajonit, Shqipërinë e lënë pas të gjithë.

Parashikime jo shumë optimiste nga FMN vijnë edhe sa u përket viteve të ardhshme, ku viti pasues projektohet me rritje 2.8% nga organizata ndërkombëtare.

Në vitin 2027, ndërkaq, projeksioni shkon në 3.4% rritje ekonomike vjetore.

Lufta në Ukrainë ka goditur fort jo vetëm rajonin, por gjithë botën, duke ngadalësuar rimëkëmbjen e post-pandemisë COVID-19 në tërësi dhe duke goditur mbi të gjitha vendet me ndikim të vogël ekonomik në botë.

Në terma të gjerë, asnjë vend i rajonit nuk do ta kalojë rritjen vjetore me 3.5% deri në vitin 2027, kur pritet në varësi të kushteve të luftës të ketë përmirësim të ekonomisë evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore