Kosova

Raporti i PE-së për Serbinë “vë në pah” shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit: Përmendet vota kundër Kosovës në KiE dhe bojkoti i zgjedhjeve në veri


Parlamenti Evropian

Raportit të Parlamentit Evropian, përveç çështjeve të brendshme që kanë të bëjnë me Serbinë, i janë shtuar edhe amendamente në të cilat ngritet “shqetësimi” rreth qasjes  së Serbisë në raport me Kosovën, përkatësisht shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit nga shteti serb.

Në këtë drejtim, siç raporton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, “vihet në pah” fakti se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, saktësisht nenin 4 të saj, i cili përcakton që Serbia s’do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Eurodeputetët nga radhët e “të Gjelbërve”, ndër të tjera, kanë kërkuar të “shprehin keqardhjen” sepse Serbia ka shkelur marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke bojkotuar zgjedhjet lokale në veri të Kosovës “gjë e cila është orkestruar në Beograd”, si dhe duke frikësuar politikanët opozitarë serbë në këtë kontekst.

Raporti i deputetit të Parlamentit Evropian, Vladimir Bilçik, i cili njëherit është Raportues për Serbinë, do të jetë në rendin e ditës të këtij institucioni të martën, kur deputetët do të diskutojnë tekstin e raportit me 104 pika, si dhe 11 amendamentet e miratuara nga Komisioni për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, refuzoi të deklarohej nëse Serbia e shkeli zyrtarisht Marrëveshjen e arritur fillimisht në Bruksel me 27 shkurt, pastaj e përforcuar me Aneksin e Zbatimit në Ohër më 18 mars. Ai tha se në Bruksel “janë në dijeni” për votën e Serbisë në KiE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore