Lajme

Raporti i HRW-së për Kosovën: Dhunë në veri, sulme ndaj gazetarëve e shkelje të të drejtave të njeriut


Ilustrim

Në bazë të raportit vjetor të organizatës ndërkombëtare humanitare “Human Rights Watch (HRW)” të publikuar këtë të enjte, viti i fundit në Kosovë është karakterizuar nga shpërthimi i dhunës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, sulmet ndaj gazetarëve dhe nisja e gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë të Holandës.

Në raportin e HRW-së janë veçuar zhvillimet e vitit 2023, ku në pjesën veriore të Kosovës pati ngritje të tensioneve, veçanërisht gjatë protestave të serbëve lokalë kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, pasuar nga sulmet e dhunshme ndaj trupave të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR).

Gjithashtu, në raportin e HRW-së përmendet edhe sulmi i fundit terrorist i 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit, ku një grup i armatosur rëndë sulmoi Policinë e Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor. Raporti kujton se tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë në Manastirin e Banjës, ndërsa së paku tetë të tjerë u arrestuan nga organet kosovare të sigurisë.

E këtë vit, përveç nisjes së proceseve gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, evidentohen tri aktakuza të ngritura për krime lufte, si dhe rigjykimi i një rasti të mëparshëm. Në raport përmendet dënimi i ish-komandantit i UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Nga ana tjetër, gazetarët iu nënshruan sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengesave në punë, zbulon raporti. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në periudhën janar-shtator 2023, regjistroi 60 incidente kundër gazetarëve, duke përfshirë 16 sulme dhe 22 kërcënime, krahas shkeljes të së drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj anëtarëve të komunitetit LGBT.

Në raportin e HRW-së, duke marrë parasysh edhe të dhënat e Qendres për Barazinë dhe Lirinë e Komunitetit LGBT në Kosovë (CEL), thuhet se shumë persona të komunitetit (lezbike, homoseksual, biseksual dhe transgjinor) u përballën me kërcënime, intimidim dhe dhunë nga familjarët e tyre gjatë vitit, ndërsa morën “përgjigje të dobëta” nga autoritetet shtetërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore